E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Rama është pjesë e politikës së vjetër



Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, ishte dje i pranishëm në Kuvendin e 9-të të Partisë Demokratike të Librazhdit, në kuadër të zgjedhjeve lokale që po mban kjo parti në degët e saj. Ai ka folur në këtë Kuvend për arritjet e qeverisë në 3 vjet e gjysmë pushtet, duke thënë se në kaq pak kohë janë bërë ndryshime të mëdha, duke ndryshuar një herë e mirë imazhin e vendit tonë në botë. Gjithashtu, Basha, i cili është dhe anëtar kryesie i PD-së, ka prekur politikën që po ndjek e majta në këtë prag zgjedhjesh, duke e cilësuar “politikën e re” që trumbeton Edi Rama si shumë të vjetër dhe të pasuksesshme. Basha i ka kujtuar kreut të PS-së se ishte pjesë e asaj politike që ai e konsideron të vjetër, e cila e mbajti për 8 vjet peng integrimin e vendit. Ai i referohej me këtë qenies së Ramës, si përfaqësues i PS-së në Bashkinë e Tiranës, apo poste të tjera në kohën kur kjo parti ishte në pushtet. Ndërkaq ministri ka parapëlqyer që të fokusohet më shumë tek arritjet e qeverisë. “Sot 3 vjet e 8 muaj pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike, ne dalim para jush krenarë, pasi kemi ndryshuar tërësisht imazhin e Shqipërisë, e kemi futur atë mes shteteve demokratike dhe më të fuqishme të botës, kemi rritur mirëqenien dhe e kemi kthyer Shqipërinë në vend të preferuar për investime dhe njëherësh po ndërtojmë e rindërtojmë infrastrukturën në çdo cep të vendit”, - tha ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, në Librazhd. Ai ka kujtuar se 3 vjet e 8 muaj më parë Shqipëria ishte një vend me perspektivë të vrarë, një vend për të cilin mediat botërore flisnin vetëm për kriminalitet, trafiqe e korrupsion, ndërsa sot Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kjo mazhorancë do ta afrojë atë edhe më shumë me Bashkimin Evropian. “Shqiptarët do të vazhdojnë rrugën e ndryshimit që nisën me Partinë Demokratike edhe në katër vitet e ardhshme, për të ecur përpara në rritjen e mirëqenies dhe zhvillimit të vendit”, - shprehu bindjen e tij ministri i Jashtëm, Lulzim Basha. Ministri i Jashtëm në këtë takim ka prekur sigurisht ato që shihen si arritjet më të mëdha të kësaj qeverisjeje, siç ishte hyrja me të drejta të plota në NATO, si dhe arritjet në fushën e luftës antikorrupsion dhe kundër krimit të organizuar. Investimet e mëdha të bëra gjatë kësaj periudhe dhe ato që janë në proces kanë qenë një tjetër pikë ku ai është ndalur në fjalën e tij. Në fund të votimit, Arianit Leka u rizgjodh si kreu i degës së Partisë Demokratike në Librazhd, me 212 vota kundrejt 61 votave, që mori kandidati Bujar Vreto dhe 25 votave që mori kandidati i tretë Ndriçim Halili. Kryetari i rizgjedhur Arianit Leka, premtoi fitore në zgjedhjet e 28 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›