E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi takon ushtarët e Zall-Herrit: Tani jeni ushtarë të NATO-s



Presidenti Bamir Topi, i cili është njëkohësisht Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, ka uruar dje këto forca për hyrjen në NATO dhe ka folur për reformimin e ushtrisë shqiptare. Ai vizitoi dje Brigadën e Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr. I shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Brigade Maksim Malaj. Një moment i veçantë i vizitës së Presidentit Topi ishte biseda telefonike e Komandantit të Përgjithshëm me majorin Ferdinand Ziu, komandanti i efektivave paqeruajtëse shqiptare në Afganistan, të cilit i shprehu përshëndetje dhe urimet në emër të të gjithë popullit shqiptar, duke u interesuar njëkohësisht edhe për situatën e gjendjen e paqeruajtësve tanë. Kreu i shtetit i falënderoi ushtarakët tanë në Afganistan, veçanërisht për kontributin e tyre të vyer në funksion të vendosjes dhe ruajtjes së paqes në atë rajon të trazuar të botës, duke i përgëzuar njëkohësisht edhe për profesionalizmin, disiplinën dhe besnikërinë e efektivave shqiptare në ushtrimin e detyrave të tyre ushtarake. “Ushtria jonë, Forcat tona të Armatosura sot konsiderohen profesioniste. Ato vijnë e reformohen vazhdimisht dhe unë jam i bindur që krahas partnerëve tanë, kjo asistencë do ta bëjë ushtrinë tonë, Forcat tona të Armatosura që të jenë forca elitare, që të jenë forca që të qëndrojnë përkrah misioneve të partnerëve, të cilat kanë traditë, kanë eksperiencë, kanë profesionalizëm, por të njëjtin profesionalizëm unë kam parë tek ju, të njëjtin motivim kam parë tek ju”, - tha Topi. Ai ka bërë të qartë se kudo ku kanë shërbyer ushtarët shqiptarë, kanë qenë në lartësinë e duhur. “Fjalët më të mira janë thënë për ushtarët tanë. Njerëz shumë besnikë, njerëz shumë të motivuar, njerëz të sakrificës, njerëz të realitetit, njerëz që nuk dinë të ndahen për asnjë moment nga detyra dhe nga metodika e shërbimit të përbashkët me forcat aleate. Këto janë konsideratat që kanë ardhur nga partnerët tanë. Janë konsiderata që kanë ardhur nga ata komandantë, të cilët kanë një eksperiencë dhjetëra vjeçare në fushën e drejtimit ushtarak dhe ky është një element shumë i rëndësishëm, që premton shumë dhe kjo është arsyeja që përveç suportit, që ne kemi pasur nga partnerët tanë, nga të gjithë aleatët dhe në mënyrë të veçantë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ne ta meritojmë për të vazhduar misionin tonë fisnik në mbrojtje të lirisë, të paqes dhe sigurisë në botë”, - theksoi Presidenti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›