Ambasadori danez: Pak nga kandidatët plotësojnë kriteret për president
Një shuplakë e fortë për emrat e Nanos, Topallit dhe të tjerëve. Ambasadori: Në një vend demokratik nuk do lejoheshin as të hyjnë në hipodrom, pa le më të garojnë
Ambasadori danez, Karsten Jensen është gjithmonë i drejtpërdrejtë. Kësaj here, në një intervistë për Shqip, ai thotë se mesazhi që i dërgon Shqipëria BE-së me zgjedhjen e presidentit të ri është shumë i fortë. Ajo do tregojë ose se ka mbetur në të shkuarën, ose se ka hedhur një hap vendimtar përpara.
Por më i ashpër është ambasadori me kandidatët e përmendur deri më tani.
Si koment të përgjithshëm më duhet të them se pak e përmbushin atë që kërkohet nga një president në një vend që synon të marrë statusin e kandidatit të BE. Është veçanërisht shqetësuese të dëgjoj konsiderata në media apo diku tjetër ndaj personave që në vendet më demokratike nuk do ia dilnin as të hynin në derën e hipodromit jo më të rreshtoheshin në garë. Ata do të skualifikoheshin menjëherë, për shkak të së kaluarës, të tashmes dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Por në Shqipëri njerëz të tillë po konsiderohen si të duhur për zyrën më të lartë, nga media dhe të tjerët, tha ambasadori.