Berisha: Numërimin elektronik duhet ta refuzojë vetë opozita. Kutitë do i hapin gjykatat
Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Shqipëria do vazhdojë të qëndrojë në Afganistan edhe pas vitit 2014 kur të tërhiqet NATO. Berisha tha se qeveria do të ndihmojë studentët afganë të studiojnë këtu
Kryeministri Sali Berisha komentoi gjatë në mbledhjen e qeverisë edhe Samitin e Çikagos.
Më datë 20-21 maj, në Çikago, një nga qendrat më të rëndësishme të ekonomisë, zhvillimit në tërësi të SHBA, por edhe të botës, u zhvillua samiti i NATO-s. Ky ishte samiti i dytë në të cilin Shqipëria merr pjesë si vend anëtar. Samiti u drejtua nga Barak Obama dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s. Në samit u diskutuan çështje madhore si aftësitë dhe kapacitetet e Aleancës në kushtet e krizës globale dhe mbrojtja inteligjente. U diskutua dhe u vendos për mbrojtjen antiraketë. U diskutua gjerësisht mbi Afganistanin, dorëzimin nga ana e trupave të NATO-s të çështjeve të sigurisë tek afganët brenda vitit 2014 dhe projektet për të mbështetur këtë vend në mënyrë të vendosur që të ndërtojnë, konsolidojnë forcimin e ligjit, ekonominë e tregut, sistemin demokratik, tha Berisha.
Kryeministri u shpreh se Shqipëria do të qëndrojë në Afganistan edhe pas vitit 2014.
Krahas pjesëmarrjes së përfaqësuesve më të lartë të NATO, në një seancë të veçantë merrnin pjesë rreth 60 kryetarë shtetesh dhe drejtues institucionesh. Organizimi i samitit ishte i përsosur, mikpritja e Obamës dhe qeverisë së tij ishte i shkëlqyer. Gjatë qëndrimit në samit në darkën e shtruar nga Obama u diskutua gjerësisht për Afganistanin. Në këtë darkë mora fjalën dhe shpreha vendosmërinë e Shqipërisë për të mbështetur Aleancën dhe për të qëndruar në Afganistan përsa kohë NATO të qëndrojë në atë vend. Shqipëria do jetë nga ato vende që nëse na lipset do kemi prezencën në Afganistan edhe pas vitit 2014, në format që kërkohet, qoftë në bashkëpunim direkt me SHBA.
Kryeministri tha se pas vitit 2014 Shqipëria do japë rregullisht nga 1 milion dollarë ndihmë çdo vit, por kjo nuk do jetë ndihma e vetme.
Duhet doemos të konkretizojmë me Ministrinë e Arsimit nga Afganistani të sjellim studentë nga ky vend në Shqipëri. Jemi të gatshëm të akordojmë deri në 100 bursa për këtë vend mik. Jemi sërish të zotuar për të ndërtuar pesë shkolla të kategorive të ndryshme në këtë vend. Në rast se ne, për shkak të mungesës së infrastrukturës, e kemi të vështirë të zbatojmë këtë premtim, do u kërkojmë aleatëve që në bashkëpunim me to të përmbushim detyrimin tonë. Ministria jonë duhet të shqyrtojë të gjithë mundësitë e ndihmës, tha Berisha.
Kryeministri deklaroi se samitin e ndërpreu për shkak të tragjedisë.
Në dokumentet për rajonin sanksionohet, pasi vlerësohet dialogu i Kosovës me Serbinë, sanksionohet perspektiva e qartë euroatlantike e rajonit. Kjo është një inkurajim i madh për të gjitha vendet e rajonit, që aspirojnë të shohin veten e tyre anëtare të NATO-s, tha Berisha.
Reforma zgjedhore e ajo parlamentare
Nisur nga samiti, Berisha tha se Shqipëria duhet të përparojë edhe sa i përket reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare.
Ajo që të vjen në mendje kur sheh Shqipërinë të ulet si e barabartë në samitin e NATO-s mbetet përpjekja jonë për anëtarësim në BE. Prandaj shfrytëzoj rastin të ftoj opozitën të përfundojë në afatin kohor më të shpejtë, reformën zgjedhore. Mendoj se përfaqësuesit në këtë komision kanë bërë një punë shumë të mirë, nga një klimë mosbesimi, ky komision ka funksionuar me seriozitetin më të madh, por ne i jemi mbajtur plotësisht premtimeve. Në fillim ata kërkuan që të ishin ata që të kishin iniciativën. Mendonin se mazhoranca me propozimet e veta do të përpiqej të tërhiqte nga vetja e saj. Ne faktuam që kjo nuk ishte e vërtetë. Nuk kemi bërë asnjë propozim të vetëm, por kemi vlerësuar propozimet e opozitës, tha Berisha.
Duke komentuar numërimin elektronik dhe procedurat e tjera elektronike, Berisha tha se duhet të jetë vetë opozita kundër.
Rekomandimi i ODIHR për procedurat elektronike nuk vjen se përfaqësuesit e kësaj organizate nuk janë të njohur me moshën dixhitale, përkundrazi, ata janë më të njohur se të tjerët përsa i përket zgjedhjeve dhe dixhitalizimit. Mendoj se rekomandimi i tyre është interesi i parë më i madh i opozitës se nëse opozita do siguri në zgjedhje, nuk mund të vrapojë pas opsioneve, të cilat nuk japin siguri, nuk janë të testuara. Ky është interesi më i parë i opozitës dhe i shqiptarëve në tërësi. Numërimi elektronik është një realitet me probleme të pamohueshme, tha Berisha.
Një çështje kyçe ku ka ngecur reforma zgjedhore është edhe KQZ dhe procedurat për hapjen e kutive.
Kërkojnë një vendim që të merret me dy vota për të hapur të gjithë dokumentacionin, që do thotë ti fusësh zgjedhjet në proces të pakthyer. Ka të drejtë, çdo material do hapet, por do jenë gjykatat. Nëse një vendim i tillë u jepet dy përfaqësuesve partiakë në KQZ, zgjedhjet nuk janë më të qytetarëve, tha Berisha.
Ndërkohë duke komentuar reformën për rregulloren e parlamentit, Berisha përsëriti të njëjtat gjëra.
Është punuar në mirëkuptim të plotë për reformën e parlamentit. Është zbatuar absolutisht çdo ndryshim që vjen nga rregullorja e Parlamentit Europian. Tani kërkon që kryetari i opozitës të ketë të drejtën kushtetuese si të kryeministrit në parlament. Kjo nuk ekziston në asnjë Kushtetutë të hapësirës së këtij kontinenti. Parlamenti nuk mund të shndërrohet në një forum debati të pafundëm. Pse Kushtetuta ia ka dhënë kryeministrit, kjo Kushtetutë e hartuar nga socialistët, sepse kryeministri si shef i ekzekutivit ka detyrimin dhe të drejtën që në parlament të japë të gjitha shpjegimet.