E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Na duhen rregulla të veçanta për transportin e nxënësve dhe studentëve

Share

Qeveria shqiptare e nisi mbledhjen e sotme me një minutë heshtje në nderim të viktimave të tragjedisë rrugore në Himarë.

Kryeministri Sali Berisha tha se qeveria do bëjë gjithçka për shërimin e të plagosurave.

U shpreh edhe njëherë solidaritetin më të lartë familjeve të viktimave të këtij aksidenti tragjik. Të lutemi që të gjejnë forcën për të përballuar dhimbjen e madhe, dhimbjen e rëndë të shkaktuar nga humbja e jetës së njerëzve të tyre më të dashur. Të urojmë të plagosurit dhe të traumatizuarit e këtij aksidenti për shërim të shpejtë dhe ti garantojmë se qeveria do bëjë gjithçka për shërimin e tyre sa më të plotë, tha Berisha.

Falenderojmë ata gra e burra, të rinj, që u angazhuan në dhënien e ndihmës së shpejtë, në përballimin e kësaj emergjence shumë të rëndë. Falënderoj banorët e Himarës për reagimin e tyre njerëzor shumë të shpejtë, ndihma e tyre ka qenë shumë e rëndësishme në ecurinë e mëtejshme në shëndetin e të traumatizuarve. Falënderoj shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, për dhurimin e gjakut për të ndihmuar të plagosurit. Falënderoj ekipet e helikopterëve, që funksionuan në mënyrë të shkëlqyer, vijoi kryeministri.

Berisha u kërkoi zyrtarëve të qeverisë që të hartojnë rregulla të reja për transportin e nxënësve dhe studentëve. Berisha tha se këto rregulla duhet të jenë të zbatueshme.

Aksidenti është nën hetim dhe duhet bërë një hetim i plotë dhe i gjithanshëm. Është e parakohshme të flitet në mënyrë përfundimtare për shkakun e tij. Por ajo që ka rëndësi kapitale është që ministritë e linjës, ajo e Brendshme, e Transportit, e Arsimit, duhet të merren me të gjithë këtë problematikë. Ne kemi rregulla të caktuara për udhëtimin e nxënësve, studentëve me dy a më shumë autobusë. Por mendoj se është e domosdoshme që pas përfundimit të hetimit të plotë për këtë aksident, ndër më tragjikët, të nxirren të gjitha përfundimet në mënyrë që transporti i organizuar i nxënësve dhe studentëve të ketë kushtet dhe rregulla më të veçanta. Të përcaktohen qartë detyrimet e respektimit të tyre. Natyrisht aksidentet, ajo që ndodh nuk kthehet, por detyrimi i të gjitha institucioneve është të studiojnë rastin konkret për të përcaktuar kushte e rregullat që ndikojnë pozitivisht në parandalimin e tyre. Kushte e rregulla komplekse. Duhet të bëjmë gjithçka që një seri rregullash e kushtesh për transportin e nxënësve dhe studentëve të jenë operative dhe të zbatueshme.

Prokuroria po merret me hetimin, por në këtë kontekst dhe më gjëra, të gjitha ministritë e linjës dhe agjencitë duhet të shqyrtojnë ndërmarrjen e çdo përgjegjësie apo mase për të parandaluar aksidente të këtij lloji, tha Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›