Berisha takon Haradinaj, nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi mes dy partive
Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka nënshkruar dje një memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj me të cilin zhvilloi një takim. Ky memorandum synon zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë midis dy partive politike, duke u bazuar në përcaktime programore të përbashkëta, të orientimit politik të qëndrës së djathtë për zhvillimin e demokracisë, ekonomisë së tregut të lirë, afirmimin e vlerave kombëtare dhe integrimin euro-atlantik. Në përfundim të takimit, kryeministri Berisha shprehu kenaqësinë dhe gadishmërinë për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me çdo parti politike në Kosovë, Maqedoni dhe më gjerë. Dy politikanët gjatë takimit biseduan mbi prespektivën e Kosovës së pavarur. Ish-kryeminstri i Kosovës, Haradinaj shprehu vullnetin që lidhjet midis dy vendeve të konsolidohen ashtu siç shprehu dhe deshirën e tij që kontaktet mes dy partive politike të njihnin një hap të mëtejshëm. Nga ana e tij, kryeministri Berisha shprehu bindjen se Kosova është në rrugë të mbarë në procesin e njohjes së pavarësisë. Kryeministri u shpreh se ajo që ndodhi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës ishte diçka e mrekullueshme dhe e paimagjinueshme, dhe theksoi sakrificën dhe kontributin e madh të popullit të Kosovës, por dhe të zotit Haradinaj në këtë drejtim. Në këtë kontekst, u shpreh kryeministri Berisha është e rëndësishme që shqiptarët të kenë një sens realist për kombin dhe se duhet punuar në drejtim të afrimit të njerëzve të të dy vendeve, duke sfiduar përpjekjet që mbajnë larg shqiptarët nga njeri- tjetri.
7 Gusht 2009