Ambasadori holandez: Presidenti, gjithëpërfshirës dhe në raundin e parë

Ambasadori holandez, Henk G.C. van den Dool
Ambasadori holandez në Tiranë, Henk G.C. van den Dool, tha se presidenti i ri duhet të zgjidhet që në raundin e parë.
Të njëjtën kërkesë më herët e ka bërë edhe ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu.
Nga qyteti i Elbasanit, ambasadori holandez në Tiranë, Henk G.C. van den Dool, theksoi se presidenti duhet të dalë nga një proces konsensual e gjithëpërfshirës dhe të arrijë të gjejë miratim që në votimin e parë në Kuvendin e Shqipërisë, me 140 vota.
Do të ishte ideale që presidenti të zgjidhej me 140 vota që në raundin e parë dhe zgjedhja e tij duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën. Posti i presidentit nuk është politik dhe ai përfaqëson unitetin. Zgjedhja e presidentit duhet të afrojë politikën me shqiptarët, ka shtuar ai.
Ambasadori holandez ka kërkuar gjithashtu përfundimin e reformës zgjedhore dhe parlamentare përpara nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Reforma zgjedhore dhe parlamentare të përfundojnë para presidentit. Ka ende shumë punë për të bërë mbi reformën zgjedhore, ka shtuar më tej Ambasadori holandez. /E.L/