E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i BE, Sequi shpërndan ndihma në veri për banorët e bllokuar nga bora

20-02-2012 / Gazeta 55

Kreu i delegacionit të KE: Solidaritet me banorët që vuajnë kushtet e vështira të motit

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi i është bashkuar nismës “Një kilogramë për emergjencën”, duke dhuruar ndihma për banorët e izoluar në veri të vendit. Në deklaratën e tij për mediat, Sequi u shpreh se “me këtë gjest modest ka dashur të tregojë solidaritet me banorët që vuajnë nga kushtet e vështira të motit. BE po planifikon dhe zbaton nisma të ndryshme, por edhe në gjërat e thjeshta është e rëndësishme të tregohet solidaritet. Sikur të jetë e mundur që ta bëjmë një familje me fëmijë të vegjël të buzëqeshë sot në këtë kohë emergjence është diçka që ia vlen të bëhet. Në ditët të vijim kam planifikuar të vizitojë disa prej zonave, por sot mendoj të bëj diçka të vogël, por të mirë meqë më pëlqen të bëj pazar”, tha Sequi. 

Ambasadori i është shmangur deklarimeve politike, lidhur me akuzat e ndërsjella mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa bëri apel për trajtimin me seriozitet të situatës dhe përballimin e emërgjencës. 

“Sot është ditë e diel dhe nuk më pëlqen të flas për politikë. Konkluzionet për ndihmat duhet të jepen në fund”, tha ai. 

“Një kilogram për emergjencën” është nisma e ndërmarrë nga banka shqiptare e ushqimeve e që fton blerësit në një sërë supermarketesh për të lënë një pako simbolike pranë kutive me ndihma. Rreth 20 kuintal ushqime të mbledhura në 18 e 19 shkurt do të dorëzohen në më shumë se 2 700 familje në vështirësi në zonat e bllokuara.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›