E Diel, 1 Nëntor 2026

Treguam se shteti është i përgatitur të përballet me dimra edhe më të mëdhenj se ky

20-02-2012 / Gazeta 55

Kreu i ekzekutivit Sali Berisha mblodhi dje Shtabin e Emergjencave në Dibër dhe përgëzoi gatishmërinë e institucioneve për të përballuar situatën. Mbrojtja e jetëve njerëzore, një synim i përmbushur në një stinë të vështirë, ku Europa pati 560 viktima

Kryeministri Sali Berisha mblodhi dje në Peshkopi shtabin e emergjencës së qarkut të Dibrës, për të analizuar situatën e shkaktuar nga reshjet e dëborës dhe masat e marra për t’iu ardhur në ndihmë banorëve në zonat e bllokuara. 

Kryeministri u informua me hollësi, nga anëtarët e shtabit, mbi situatën më të fundit në këtë qark, me urgjencat shëndetësore, gjendjen e rrugëve dhe furnizimin me ushqime të banorëve. Kreu i qeverisë përgëzoi qeveritarët vendorë, firmat private që kanë vënë në dispozicion të shtabit të emergjencës mjetet e tyre për hapjen e rrugëve dhe vetë banorët, për përkushtimin në përballimin e kësaj situate të vështirë. 

“Unë dua t’ju shpreh një nderim shumë të madh banorëve të fshatrave të komunës Sllovë, të cilët me një operacion shumë fisnik, nga fshati në fshati, duke hapur rrugën bënë të mundur shpëtimin e një nëne të re. Një angazhim ky i qindra burrave, për të krijuar mundësinë e transportit të kësaj nëne. Po kështu, në Has, dy djem mbeten në borë dhe mbi 150 burra, djem e të moshuar u nisën në drejtim të tyre, i gjetën, por, për  fat të keq, njëri prej tyre, me hipotermi të thellë, edhe pse në spital, nuk mundi ta kapërcejë. Ndërsa  tjetri u shërua. Në këtë situatë, ka spikatur një shkallë e lartë përgjegjësie e mobilizimi dhe kjo është shumë e rëndësishme. Dua të përgëzoj gjithashtu, firmat për mirëmbajtjen e rrugëve, pasi ka fare pak dallim nga ajo që pashë në Korçë dhe kjo është dëshmi e një shkalle të lartë përgjegjësie”, u shpreh Berisha. 

Ai theksoi se vendi është i përgatitur për dimra të tillë dhe se qeveria do të bëjë gjithçka për t’u ardhur në ndihmë banorëve të këtyre zonave, me synimin e parë, më të madh, shpëtimin e jetëve njerëzore. 

“Vendi është plotësisht i përgatitur për t’u përballur me dimra si ky, e më të mëdha se ky. Dua t’ju rikujtoj vetëm një moment. 5-6 vjet më parë, kur pati bllokim në Qafë të Buallit, me vështirësi kemi gjetur një apo dy borëpastruese për të ardhur në ndihmë, ndërsa sot, prefekti raportoi se janë 40 mjete të ndryshme, në të katër anët e qarkut, duke hapur rrugët. Në rast se një javë më parë ishin totalisht të bllokuara 106 komuna e bashki të vendit, sot kanë mbetur 17 dhe shpresoj që në darkë të mos jenë më shumë se 10-12. E gjithë kjo është dëshmi e një force motorike të fuqishme, e cila gjatë këtij hark kohor ka lëvizur në ditë, miliona metër kub borë dhe ka hapur rrugë edhe në skajet më të largëta, në qendrat e komunave. Përpjekje shumë serioze po bëhen nga kryetarët e komunave, me fondet e lëvruara, për të hapur rrugët e fshatrave. Në këtë situatë, kur trafiku vështirësohet e zona të tëra paralizohen, vetëkuptohet që problemi më i parë është urgjenca shëndetësore. Në të vërtetë, përsa i përket dhënies së ndihmës, ajo ka qenë e shkëlqyer. Rrugës për këtu, u informova se një i sëmurë në gjendje serioze u evakuua me helikopter, nga një fshat i Kurbneshit. Kudo ku ka pasur nevojë, helikopterët e Ministrisë së Shëndetësisë dhe ato të ushtrisë kanë bërë fluturime nga më të rrezikshmet, për të shpëtuar jetë, sikundër kontributi i banorëve ka qenë shumë i madh. Ne mbetemi të vendosur të bëjmë gjithçka, për të shpëtuar çdo jetë të kërcënuar, për shkak të mungesës së ndihmës mjekësore. Ne do të bëjmë gjithçka, për të hapur në kohë sa më të shpejtë asket rrugore, në përputhje me kërkesat tuaja, jashtë çdo abuziviteti, sikundër do të bëjmë gjithçka, për të sjellë ndihmat që u duhen banorëve në nevojë. Ne nuk kemi hezitim. Problemi i vetëm është se kjo duhet të nënkuptojë se ato ndihma që u jepen atyre që janë më në nevojë, se nuk mund të themi se nuk jemi banorë të zonave malore e se nuk dimë të përgatitemi për dimra. Jo! Të gjitha këto janë pjesë e jetës sonë. Megjithatë, absolutisht, për një arsye apo tjetër, ka që janë në nevojë të madhe dhe kjo do t’u plotësohet. Ne do të ndërhymë me kërkesën e kryetarëve të komunave dhe jo në mënyra të tjera, aty ku keni nevojë. Qeveria dhe shteti disponon gjithçka, për të ndihmuar qytetarët në nevojë, kudo që ata ndodhen”, tha ai. 

Kryeministri u bëri sërish thirrje banorëve dhe qeveritarëve vendorë, për t’i kushtuar vëmendje të veçantë dy problemeve më serioze në këtë situatë: pastrimit të çative të shtëpive dhe ndërtesave publike dhe rrezikun nga ortekët. Lidhur me këtë të fundit, Kryeministri kërkoi evakuimin e banorëve nga zonat që njihen si zona me potencial për krijimin e ortekëve.

“Shqipëria është një vend malor, me lartësinë mesatare më të madhe në Europë. Për definicion, ne jemi zona malore, por një dimër si ky përbën një veçanti, pasi ka dekada që nuk është parë, ndërsa në kontekstin e lartësisë mesatare të vendit dhe të tërësisë së shtrirjes në vite, është një dimër ndër të tjerët. Sidoqoftë, bora në vetvete ka rreziqet e veta dhe unë mendoj se me organizimin që është bërë gjer më sot, jemi përballuar me shkallë të lartë përgjegjësie me rreziqet që ajo bart. Sërish thirrja ime është: Të pastrojmë e zbulojmë çatitë! Nënvlerësimi i tyre përbën një rrezik serioz mbi kokën tuaj e të fëmijëve tuaj. Kjo është e vërteta. Dy janë problemet më të mëdha të dëborës: çatitë dhe ortekët. Këto janë edhe rreziqet më imediate. Ndaj u bëj thirrje kryepleqve dhe kryetarëve të komunave të këtij qarku dhe të të gjitha qarqeve të tjera ta marrin me seriozitetin më të madh këtë problem. Vlerësoj faktin se disa banorë në komunën e Arrasit janë spostuar në një shkollë dhe duhet t’i furnizojmë me të gjithë nevojat për jetesë dhe ju bëni listën për këtë.  Po ashtu, edhe në zona të tjera, ku mund të ketë rënie ortekësh, të cilat dihet pak e shumë, ku ka një lloj historie të tyre, t’i largojmë banorët provizorisht, sepse, siç e dini, orteku bie edhe me fillimin e shkrirjes së dëborës. Nuk duhet të humbim as edhe një jetë të vetme”. 

Më tej, Berisha vlerësoi se në qarkun e Dibrës është bërë një punë e shkëlqyer për zhbllokimin e rrugëve dhe dhënien e ndihmës së parë banorëve në zonat e thella. Sipas Berishës, pavarësisht se Shqipëria është vendi me sipërfaqen malore më të madhe në Evropë pati vetëm një viktimë nga dëbora, ndërsa në Europë ky dimër ka shkaktuar 560 viktima. 

“Në rrethin tuaj është bërë një punë e jashtëzakonshme, sepse, faktikisht, ky rreth, së bashku me Bulqizën, kanë qenë tërësisht të bllokuara, pak ditë më parë. Sot kanë mbetur 3-4 komuna për të shkuar në qendër të tyre dhe nuk ka pasur rreth më me vështirësi se rrethi juaj. Kjo sepse, së pari, është një nga rrethet më të hapura dhe së dyti, ka largësinë ndër më të mëdhatë në Shqipëri. Por ju keni punuar me përkushtim të madh, po ashtu, punonjësit e kompanive që ju keni kontraktuar dhe faktikisht, sot jemi në një situatë diametralisht të kundërt me atë të një jave më parë. Ne shpresojmë që situata të mos ketë valë të reja të mëdha, por të dhënat meteorologjike dëshmojë se përsëri i ftohti dhe reshjet, në përmasa të caktuara, do të vazhdojnë. Në çdo rast, ju siguroj juve dhe të gjithë banorët e këtij rrethi se qeveria qëndron e fuqishme, për t’i mbështetur ata në çdo lloj problematike që u krijohet nga kjo dëborë, e cila, e ritheksoj, krijoi një bllokim të trafikut e qarkullimit për një kohë. Edhe një herë ju përgëzoj për përkushtimin! Ky dimër pati këto reshje të mëdha bore, por prapë ato po kapërcehen me koston më të vogël të mundshme. Në Europë, ky dimër ka krijuar 560 viktima. Ndërsa vendi më lartësinë mesatare më të madhe në Europë dhe sipërfaqen malore më të madhe, në raport me sipërfaqen tjetër, është Shqipëria dhe gjer më sot, falë një mobilizim total për të ndihmuar çdo qytetar në nevojë, ne kemi vetëm një viktimë, të lidhur me borën dhe do bëjmë gjithçka të mos kemi tjetër”, përfundoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›