Instituti italian i kulturës sjell “Javën e gjuhës italiane në botë”

Prej datës 20 tetor, Instituti Italian i Kulturës në Shqipëri do të organizojë edicionin e IX-të të “Javës së gjuhës italiane në botë”. Në kuadër të kësaj jave të mbështetur nga Ministria e punëve të jashtme të Italisë do të ketë në qendër të aktiviteteve temën “Italishtja mes artit, shkencës dhe teknologjisë”. Siç bëhet e ditur nga Instituti Italian i Kulturës në Shqipëri, gjatë këtyre ditëve do të mbahen në Tirane iniciativa të shumta dedikuar kësaj teme, të organizuara në bashkëpunim me disa institucione shqiptare si Fakulteti i Inxhinierisë dhe ai i Histori-Filologjisë në Universitetin e Tiranës, Universiteti Europian i Tiranës dhe Teatri Kombëtar. Gjatë kësaj jave do të zhvillohen një sërë konferencash të cilat do të nisin në datën 20 tetor me prof. Enrico Crispolti që do të mbajë një referat me titull “Identiteti dhe karakteri historik i Futurizmit”. Ndërsa prof. Matteo D’Ambrosio do të bëjë një bilanc kritik mbi poezinë dhe letërsinë futuriste. Gjithashtu rreziku sizmik në Shqipëri do të jetë objekt i në tjetër konference që do të mbahet nga profesori dhe arkitekti italian Mario Antonio De Cunzo. Në referatin e tij ai do të flasë gjithashtu dhe mbi restaurimet e objekteve kulturore në zonat sizmike. Por, krahas tyre në kuadër të “Javës së gjuhës italiane në botë” do të prezantohen edhe ekspozita interesante. Njëra prej tyre do të paraqesë veprën e një prej protagonistëve të Futurizmit, Mino Delle Site në mjediset e Liceut Artistik “Jordan Misja “ në Tiranë. Në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar më 20 tetor do të sillet në skenë shfaqja argëtuese “Matematika në kuzhinë” e përgatitur nga trupa italiane Pupi e Fresedde të teatrit “Rifredi” në Firence. Kjo pjesë do të ofrojë për publikun një vepër interesante ku matematika argëtuese shfaqet në kuzhinën e shtëpisë sonë. Gjithashtu pjesë e aktiviteteve të kësaj jave do të jetë dhe projektimi i disa filmave. Pas Tiranës, zhvillimi i aktiviteteve do të vazhdojë më tej dhe në qytete të tjera të Shqipërisë si në Shkodër,Vlorë, Gjirokastër, Korçë, Elbasan, etj.
...