E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD, postera me programin dhe arritjet e katër viteve

 

Kur kanë ngelur edhe 22 ditë nga zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike kanë nisur të vendosin posterat e para në billbordet e kryeqytetit por edhe në qytetet kryesore të vendit. Forca më e madhe e opozitës ka vendosur në qendër të këtyre posterave portretin e kreut të PS-së dhe kandidatit për Kryeministër, Edi Rama, i cili bën thirrje për ndryshimin e qeverisjes pas 28 qershorit. Ndryshe nga PS-ja, Partia Demokratike posterat e parë që ka vendosur nëpër vendet më të dukshme në Tiranë i ka me pjesë nga programi për katër vitet e ardhshme dhe arritjet e këtyre katër viteve. “Në katër vjet hapëm 80 mijë vende punë, për katër vitet e ardhshme premtojmë hapjen e 160 mijë vende pune. Shqipëria po ndryshon”, thuhet në njërin prej posterave të vendosur nga selia blu në Tiranë. Gjithashtu PD-ja ka premtuar përmes këtyre posterave liberalizimin e vizave brenda vitit të dytë të mandatit të parë, si dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE, investimet në infrastrukturë dhe rritjen e pagave dhe pensioneve. Por dy mënyrat e ndryshme të PD-së dhe PS-së në përbërjen e posterave, janë ndjekur edhe nga partitë e tyre aleate. Kështu G99 ka ndjekur modelin e Partisë Socialiste, ku në qendër të posterave të saj është pikërisht kreu i kësaj partie, Erion Veliaj. Nga ana tjetër Partia Republikane, ashtu si edhe në programin e saj, ka vendosur në posterat elektoralë fjalët “Familje, pronë, komb” si dhe “Sot në NATO, nesër në BE”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›