E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i SHBA-ve, Berisha dhe Topalli dënojnë dhunimin e gazetarit Likmeta

Autoritetet më të larta shtetërore si dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara, Xhon L. Uidhers në Shqipëri, kanë dënuar aktin e dhunimit të gazetarit Besar Likmeta nga deputeti i Parlamentit, Tom Doshi. Kryeministri Berisha, kryeparlamentarja Topalli dhe numri 1 i Ambasadës Amerikane në Tiranë e kanë cilësuar këtë akt të patolerueshëm dhe kanë kërkuar fillimin e hetimeve. “Kam ndjekur nga afër raportimet rreth sulmit burracak kundër gazetarit Besar Likmeta nga Tom Doshi, në praninë e Arben Isarajt. Këto raportime bëhen akoma dhe më tronditëse për faktin që ata janë të dy anëtarë të Parlamentit. Raporti i të Drejtave të Njeriut i Qeverisë së SHBA-ve, i publikuar vetëm dy ditë më parë, e bën plotësisht të qartë se dhuna dhe kërcënimet për dhunë kundër shtypit janë të patolerueshme për një demokraci. Unë përshëndes deklaratën e kryeministrit Berisha, që bën thirrje për një hetim të plotë të akuzave dhe pres të shoh shpejt rezultatet e këtij hetimi. Unë i bëj thirrje udhëheqjes politike shqiptare, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe veçanërisht kolegëve gazetarë të zotit Likmeta, që të dënojnë haptas dhe me guxim dhunime të tilla të lirisë së shtypit, e cila është themeli i një shoqërie të lirë”, - deklaroi ambasadori amerikan. Ndërkohë, në një njoftim për shtyp, kryeministri Berisha ka deklaruar: ”Duke dënuar këtë akt dhune dhe çdo akt tjetër ndaj gazetarëve, kryeministri u kërkon autoriteteve përgjegjëse të ndërmarrin një hetim të thelluar dhe të plotë ndaj këtij akti të papranueshëm”. Edhe kryeparlamentarja Topalli ka reaguar duke deklaruar se është e papranueshme çdo formë dhune, në mënyrë të veçantë ndaj gazetarit.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›