E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia dhe Prokuroria, hetim pasurive të zyrtarëve

Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nënshkroi ditën e djeshme një marrëveshje bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme, Agjencinë e Prokurimeve Publike, me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë e INSTAT-in. Institucionet e mësipërme do të bashkëpunojnë së bashku për të kontrolluar dhe hetuar më profesionalisht deklarimin e pasurive të zyrtarëve të shtetit. Në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara, institucionet angazhohen për krijimin e kontakteve më të ngushta dhe shkëmbim informacioni më të shpejtë për evidentimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të zyrtarëve që përfshihen në afera korruptive. Po ashtu, marrëveshjet angazhojnë institucionet në marrje e masave për plotësimin e rregullt të kallëzimeve penale, kryerjen e hetimeve paraprake, ushtrimin e ndjekjes penale, ngritjen dhe përfaqësimin e akuzës në afate sa më të shpejta, në zbatim të ligjit penal dhe procedural penal. Marrëveshjet janë në sinkron edhe me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë për forcimin e kapaciteteve investiguese në drejtim të hetimit administrativ për zbulimin e pasurive të fshehura dhe rasteve të konfliktit të interesave. ”Firmosja e Marrëveshjeve të sotme është dëshmi e angazhimit që kanë institucionet për forcimin e shtetit ligjor në Shqipërisë”, - tha inspektorja e Përgjithshme e ILDKP-së, Laska.

14 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›