Berisha i kërkon së djathtës europian mbështetje politike
Kryeministri Berisha mori pjesë dje në Samitin e Partive Popullore Europiane në Bruksel, nga ku kërkoi mbështetjen e kolegëve të djathtë europianë që të mbështesin Shqipërinë për të hyrë në NATO. Gjithashtu, kryeministri Berisha u shpreh se pavarësia e Kosovës i shërben dhe ka një rol shumë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Për këto çështje kryeministri Berisha theksoi se gjeti mirëkuptim të plotë dhe mori mbështetje nga kolegët e tij. Në përgjigje të interesit të gazetarëve lidhur me debatin për emrin e Maqedonisë, kryeministri Berisha tha se konstaton ekzistencën e vullnetit të duhur për të negociuar seriozisht ndërmjet palëve. Në ketë samit është diskutuar për Traktatin e Lisbonës, për referendumin që duhet të mbahet në Irlandë për njohjen e Traktatin të ri, ngrohjen globale si dhe rolin kyç që duhet të luajë Europa në parandalimin dhe përmirësimin e gjendjes për ambientin. Ndër të tjera kryeministri Berisha zhvilloi takime dypalëshe dhe diskutime me kancelaren Angela Merkel, Presidentin e Parlamentit Europian, z. Hans-Gert Poettering etj.
14 Mars 2008