E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori i Shqipërisë Shpëtim Çaushi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në mbështetje të Medvegjës

28-04-2012 / Gazeta 55

Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Beograd Shpëtim Çaushi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Serbi Galip Beqiri, kanë qëndruar dje për vizitë pune në Medvegjë. Me këtë rast, zotëriu Beqiri i ka dhuruar dy kompjuterë në vlerë prej 50.000,00 dinarë shkollës fillore në Banjë të Sjarinës. Delegacioni shqiptar fillimisht është takuar me prefektin e komunës së Medvegjës Sllobodan Drashkoviq. Duke i dëshiruar mirëseardhje prefekti Drashkoviq ka njoftuar delegacionin me komunën e Medvegjës, me strukturën e popullatës, hierarkinë në pushtetin lokal, pjesëmarrjen e shqiptarëve në institucionet lokale etj. Me këtë rast, prefekti Drashkoviq ka theksuar se komuna e Medvegjës është e pazhvilluar dhe se investimet janë të mirëseardhura. “Unë jam për lëvizje të lirë të njerëzve. Marrëdhëniet e mira duhet të vazhdojnë, të ndërtohen rrugë të mira, ura të mira dhe të lëvizim të lirë. Unë kështu e shoh Medvegjën, më vjen keq që malli këtu s’mund të qarkullojë për Kosovë por do të kërkoj që ky vendkalim të hapet sa më shpejt”, ka deklaruar Drashkoviq. Ambasadori i Shqipërisë në Beograd Shpëtim Çaushi duke shprehur kënaqësinë e tij që gjendet në komunën e Medvegjës ka theksuar nevojën e zhvillimit të infrastrukturës dhe integrimeve europiane. Po ashtu, zotëriu Çaushi ka theksuar nevojën e lëvizjes së lirë. “Edhe në kohën kur këtu ka pasur probleme të mëdha, kur ishte unioni Serbi-Mal i Zi, Mali i Zi ka hapur kufirin me ne. Nuk kërkonin viza dhe as ne nuk u kërkonim viza”, ndër të tjera ka deklaruar ambasadori Çaushi. Kryetari i Këshillit Kombëtar Galip Beqiri ka njoftuar prefektin Drashkoviq me punën dhe kompetencat e këtij këshilli. Duke folur për rëndësinë e lëvizjes së lirë zotëriu Beqiri ka kërkuar nga prefekti i komunës që t’u mundësohet lëvizje e lirë shqiptarëve të Medvegjës që përkohësisht jetojnë në Kosovë për festën e Një Majit dhe për zgjedhje. Pas takimit me prefektin Drashkoviq, delegacioni ka vizituar shkollën fillore “Zenel Hajdini” në Tupallë, me ç’rast ka takuar nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle. Drejtori i shkollës fillore Fadil Mustafa ka njoftuar delegacionin me gjendjen aktuale në këtë shkollë. Ai ka theksuar se shkolla sot ka një numër të vogël të nxënësve për shkak të shpërnguljes së qytetarëve shqiptarë nga kjo komunë. Sipas Mustafës, para vitit 1999 shkolla Zenel Hajdini gjithmonë ka pasur mbi 200 nxënës, ndërsa sot ka një numër të vogël të nxënësve si në shkollën amë ashtu edhe në paralelat e ndara të kësaj shkolle. Pas vizitës në Tupallë delegacioni qëndroi në Banjë të Sjarinës me ç’rast ia dhuroi shkollës fillore të këtij vendi dy kompjuterë me vlerë prej 50.000,00 dinarë. Duke vlerësuar lartë ndihmën e Këshillit Kombëtar, në emër të mësimdhënësve të kësaj shkolle, mësimdhënësi Fehmi Beha, njëherit kryetari i degës së Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë, i ka dhënë mirënjohje kryetarit të Këshillit Kombëtar Shqiptar, zotëriut Galip Beqiri.
Fidan Kosumi (medvegja.net)

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›