E Diel, 1 Nëntor 2026

Prioritet kryesor i qeverisë shqiptare mbetet anëtarësimi i shpejtë në BE

28-04-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon kryetarin e Kongresit amerikan, John Boeher

Kryeministri Sali Berisha u prit dje në një takim në Washingon, nga Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, i cili është dhe njëkohësisht Kryetar i Kongresit të SHBA, John Boehner.
Boehner i shprehu Kryeministrit kënaqësinë për këtë vizitë në SHBA dhe në Kongres, si dhe interesin për zhvillimet dhe reformat në Shqipëri. Kryeministri Berisha, duke e falënderuar Boehner për pritjen, e njohu me reformat dhe arritjet e rëndësishme gjatë kësaj periudhe, në të gjitha fushat, në atë politike, në fushën e ekonomisë, arsimit, shëndetësisë, ndërtimit të infrastrukturave, energjisë, turizmit, teknologjisë së informacionit etj.
Në lidhje me proceset integruese, Kryeministri Berisha e falënderoi përzemërsisht Kryetarin Boehner për mbështetjen e madhe të Presidentit, Kongresit dhe kombit amerikan për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO.
Kryeministri Berisha i theksoi Kryetarit Boehner se tani, prioritet kryesor i qeverisë shqiptare mbetet anëtarësimi sa më i shpejtë në BE. “Keni bërë një punë të mrekullueshme për ta çuar vendin në rrugën e duhur. Jemi shumë të kënaqur nga raportet që marrim mbi zhvillimet në Shqipëri”, u shpreh Boehner. Në takim, bashkëbiseduesit rikonfirmuan se liria ka funksionuar në zhvillimin dhe përparimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë.
Më tej në takim u diskutuan edhe zhvillimet në rajon, si edhe përpjekjet e rëndësishme që po bëhen në vendet e rajonit dhe të Bashkimit Europian, për të tejkaluar krizën që ka prekur disa vende të Eurozonës. Kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të ftuar Kryetarin e Kongresit, Boehner, për të vizituar Shqipërinë, duke i theksuar se për shqiptaret do të ishte një nder i madh që në 100 vjetorin e pavarësisë të mirëpresin një mik të shquar.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›