E Diel, 1 Nëntor 2026

Fijet e kukullës

28-04-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Pakicës serbe në veri të Kosovës, i  është caktuar roli i kukullës, ndërsa fijet e saj tërhiqen në Beograd. I vetmi ndryshim është se, ky nuk quhet teatër fëmijësh, si dhe, Kosova e bota, nuk janë shikues çiliminj, të mos dinë që, nga diku fshehur, serbëve u  komandohen veprimet. Atje - në veri - po, ka një lojë të rrezikshme, aty është një teatër politik, ku  Beogradi luan nacionalizmin radikal, me të gjithë aktorët, që nga proeuropiani Boris Tadiç e deri te prorusi Tomisllav Nikoliç, pa përjashtuar të tjerët, të radhitur mes këtyre caqeve. Ata nuk besohen,  edhe kur veriorët bëjnë të “zemëruarin” me Beogradin zyrtar; edhe kur i kërkojnë Presidentit Dmitri Medvedev pasaporta ruse apo kur tundin portretet e Vladimir Putin; edhe kur “nuk e dëgjuan” Beogradin, që këshilloi të mos mbahej referendumi për pavarësi; edhe tani, kur, Goran Bogdanoviç, sekretar për Kosovën në qeverinë e Serbisë, tha që të mos organizojnë zgjedhje vendore, se nuk do të kenë mbështetje dhe rezultati nuk do të njihet.
Vështirë të gjendet një shtet tjetër si Serbia, që të veprojë, ose të lejohet të veprojë, kaq gjatë, një lojë të dyfishtë, në brendësi të  territorit të një shteti të pavarur, siç është Kosova. Europës dhe botës ajo u përsërit deklaratën se Kosovën nuk do ta njohë kurrë dhe fjalët i shoqëron me veprime pa pasë drojën e askujt. Beogradi vërtetë është futur në bisedime, të detyruara e të ndërmjetësuara, por çdo marrëveshje të nënshkruar me Prishtinën, kujdeset ta shoqërojë me sqarimin se kjo nuk është njohje e shtetit të Kosovës dhe kurrë nuk do të ketë njohje të pavarësisë. Serbia ndërhyn brutalisht në punët e brendshme, dhe çdo ndërhyrje e arsyeton me të drejtën që i jep kushtetuta serbe. Ende nuk njihet ndonjë veprim politik i saj që të burojë nga realiteti në Ballkan: përveç që Kosova nuk ka qenë një territor serb, por prej aty pushtuesi është përzënë me luftë; në jugun e vet Serbia ka një shtet natyror fqinj; pakica serbe, kudo ku ajo gjende,t  e shpërndarë në Kosovë, përfshirë edhe veriun problematik, të shërbejë  si  urë bashkëpunimi, e të mos ngarkohet me detyrën e një pakice destabilizuese.
Aq banorë sa ka veriu - tri komuna, Zveçani, Zubin Potoku, Leposaviçi dhe pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës - me gjithsej 40 mijë banorë, nuk përbëjnë popullsi të mjaftë për të ndërmarrë politika mosbindjeje as ndaj Prishtinës, le më ndaj Beogradit. Pjesa drejtuese e veprimeve politike atje, janë figura të përzgjedhura të Beogradit dhe kriminelë, që përdorin radikalizmin për trazira e fitime. Ato mbrojnë strategjinë politike të Serbisë, të mosnjohjes së Kosovës përmes protestave, dhunës dhe bllokimit. Fytyra e Beogradit, e kthyer kah Brukseli, ka pamje hipokrite, në një tavolinë ku marrin pjesë dy vetë: kur Bashkimit Europian, Beogradi i shqipton deklarata properëndimore duke e vështruar me njërin sy, serbëve të veriut ua luan syrin tjetër, që të sillen mosbindës ndaj Brukselit, Uashingtonit dhe KFOR-it. Ka pasur tre shembuj radhë njëri pas tjetrit, që ia vlen t’u kujtohen, sidomos pesë shteteve të BE-së, që ende nuk duan të shohin.
Së pari janë bllokimet, qoftë pse dhe si u ngritën ato, qoftë pse dhe si u ruajtën të mos hiqen, qoftë si dhe pse zgjat ky veprim, kur gati po mbushet një vit nga ai bllokim i çmendur. Nga Beogradi u dëgjua vetëm një pëshpërimë se, me barrikada nuk arrihen zgjidhjet. Por kjo ishte një deklaratë e vërtitur nëpër dhëmbë sepse, po të mos donte Beogradi, ato bllokime nuk kryheshin, ato bllokime nuk do të mbaheshin, ato bllokime nuk do të zgjatnin.
Së dyti  ishte referendumi grotesk alla-rus si në Gjeorgji. Serbët e veriut e organizuan referendumin për të shpallur pavarësinë në veri, në mes të shkurtit, në mes të borës, thanë rezultatin, por nga Beogradi nuk u dëgjua asgjë kundërshtuese. Referendumi i një grushti serbësh u zhvillua vetëm sepse donte Serbia. Asaj i intereson çdo turbullirë “demokratike” atje, që të pengojë dhe nervozojë politikën e shtetit të ri, si dhe të trysnojë ndërkombëtarët për të korrigjuar Planin Ahtisaari.
Së treti janë zgjedhjet e 6 majit. Ndërsa Beogradi bëri publike që nuk i mbështet  zgjedhjet vendore në veri dhe nuk do të njohë rezultatin e tyre (pa shih, nuk do ta njoh, domethënë, e di se ato do të bëhen atje?!), politikanë vendorë dhe kriminelë në veri,  përsëritin se zgjedhjet do të organizohen dhe gjithçka e kanë gati. Është e njëjta lojë, e të dy palëve, si me referendumin. Kjo dyfytyrësi  interpretohet pa vështirësi: Beogradit vërtetë i intereson Bashkimi Europian, por vendorëve serbë të veriut u intereson Serbia, ndërsa Serbisë i intereson veriu për të mbajtur konfliktin e ngritur. Edhe kësaj here, kur Beogradi shqipton se nuk i mbështet zgjedhjet vendore atje - kjo deklaratë thuhet  për ta dëgjuar vetëm Brukseli - serbëve të veriut u bën shenjë e u jep para që të mos ndalen, sepse Brukseli atyre nuk ka çfarë t’u bëjë. Në veri të Kosovës gjendemi si në një teatër  ku pakica serbe bën kukullën, fijet e veprimeve të së cilës lëvizen  në Beograd. Kjo është metafora, por në veri të Kosovës ka një teatër të luftës së ftohtë, në të cilin provohen forcat, dhe njërit nga dy mëtuesit duhet të mundet. Absurdi është se, në qoftë se lufta, për të qenë Kosova e kujt, zgjati 78 ditë, lufta për të qenë veriu i kujt, po zgjat 13 vjet. Kjo nuk është rastësi - kjo është dashje për t’u përdorur ky territor i ngushtë si trysni për zgjidhje të vështira për Kosovën, edhe pse ajo pranoi Planin Ahtisaari. Por paketa Ahtisaari është caku - domethënë vija e kuqe - të cilën Serbia nuk duhet lejuar as ta shkelë le më ta ndryshojë. Kjo është detyrë dhe përgjegjësi e Kosovës së pavarur dhe e fuqive euro-atlantike. Pak kujt ia ka marrë mendja në krye të herës që, edhe pas 13 vjetësh që  nga çlirimi, mundimet më të mëdha Kosovës do të  vazhdonin t’i vinin nga Serbia e mundur dhe e përzënë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›