Ambasadori italian viziton Vlorën

Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani
Ambasadori i Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Vlorës, ku u prit nga drejtues të pushtetit vendor, me të cilët u diskutua rreth marrëdhënieve që ekzistojnë mes dy vendeve si dhe për projektet dhe mundësitë që ofron Shqipëria dhe Vlora për investitorët italiane.
Në takimet me kryetarin e Bashkisë, Shpëtim Gjika, prefektin Eduart Veçani dhe kryetarin e Këshillit të Qarkut, Anesti Dhimojani, ambasadori Gaiani e cilësoi Shqipërinë si vendin më të preferuar dhe më të favorshëm për investime, nga ana e sipërmarrësve italianë. Kjo sipas tij argumentohet me disa faktorë, ku përfshihen mes të tjerash afërsia gjeografike, traditat kulturore, komuniteti i emigrantëve shqiptarë në vendin e tij, si një element nxitës, mjedisi i përshtatshëm që ekziston për biznesin në Shqipëri etj.
Në këtë kuadër, Vlora zë një vend të veçantë, sepse përvec faktorëve të mësipërm që janë të spikatur, qyteti jugor bregdetar dhe Italia, kanë një traditë të shkëlqyer në marrëdhëniet reciproke. Kjo reflektohet aktualisht edhe në numrin e madh të sipërmarrjeve italiane në Vlorë, apo në projektet e përbashkëta që janë realizuar apo janë në proces, në investimet për infrastrukturën rrugore të mbështetura nga ana e qeverisë italiane etj. Sipas Gaianit, në Vlorë është çelur dhe funksionon një Konsullatë e Klasit të Parë, që përbën një nga rastet e pakta në praktikën e marrëdhënieve me vendet e tjera. Gaiani e cilësoi Italinë një portë hyrëse të Shqipërisë në Evropë.
Në takimin e zhvilluar në Bashkinë e qytetit, ku ishte i pranishëm edhe konsulli i Përgjihshëm i Italisë në Vlorë, Sergio Strozzi, u diskutua veç të tjerash edhe për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit dhe të investimeve italiane. Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika, evidentoi një nga investimet më cilësore dhe me rëndësi që ka realizuar qeveria italiane, përmes Cooperacionit Italian, në qytetin e Vlorës, atë të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore në lagjen periferike 24 maji, duke parashtruar mundësinë e vazhdimit edhe me të tjera projekte të ngjashme.
Në këtë kuadër u vlerësua efektiviteti i vazhdimit të projektit të restaurimit të një numri objektesh të vjetra të ndërtuara në qytetin e Vlorës në vitet 1920-1930, të cilat kanë firmën e projektuesve dhe ndërtuesve italianë. Ndërkohë u diskutua edhe rreth projekteve të tjera me rëndësi për Vlorën, siç është ai i ndërtimit të landfilldit për trajtimin e mbetjeve urbane, apo ai i zhvendosjes së portit aktual industrial, në zonën industriale të qytetit, duke ia lënë vendin një porti jahtesh në përputhje me profilin turistik të Vlorës. / Anila Peçi