E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori në Vjenë, Komisioni i Jashtëm, seancë dëgjimore me Minarollin

Vili Minarolli është kandidati për ambasador në Austri. Komisioni për Politikën e Jashtme është njohur me kandidaturën e tij pas prezantimit të bërë nga përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Gazmend Turdiu. Ai vlerësoi përvojën e gjatë dhe të suksesshme të Minarollit në përfaqësimin diplomatik të Shqipërisë në Evropë dhe konkretisht në Greqi. Nga ana e tij, zoti Minarolli e cilësoi marrjen e kësaj detyre si një motiv të fortë për të punuar drejt forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Austrisë dhe Shqipërisë. Në mënyrë të veçantë, Minarolli theksoi se prioritet kryesor do të jetë lobimi për procesin e liberalizimit të vizave Shqipëri-BE, por edhe marrja e statusit kandidat për në Bashkimin Evropian. Për të një rëndësi po kaq të madhe ka dhe tërheqja e investitorëve austriakë në Shqipëri, duke vënë theksin tek projektet në fushën energjitike. Ndër të tjera, ai vuri në dukje edhe forcimin e bashkëpunimit për sa i përket shkëmbimit të informacionit në përshtatjen e legjislacionit shqiptar me atë të standardeve të BE-së, bashkëpunimin ekonomik, marrëdhëniet tregtare si dhe promovimin e turizmit dhe kulturës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›