E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadori rumun: Shqiptarët deklarojnë të tjera kombësi, liberalizimi nuk do jetë dhe aq i lehtëNga AlsatPjesë nga intervista e Ambasadorit të Rumanisë Viorel Stanila për emisionin "Studio e Hapur" me gazetaren Eni Vasili Sa ngjajnë Rumania dhe

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Ambasadori rumun: Shqiptarët deklarojnë të tjera kombësi, liberalizimi nuk do jetë dhe aq i lehtëNga AlsatPjesë nga intervista e Ambasadorit të Rumanisë Viorel Stanila për emisionin "Studio e Hapur" me gazetaren Eni Vasili

Sa ngjajnë Rumania dhe Shqipëria sot duke marrë në konsideratë faktin që vijnë nga një eksperiencë e përbashkët, ajo e regjimit komunist?

Janë të ngjashme sepse kanë një eksperiencë të përbashkët, atë të regjimit komunist, që në një farë mënyre ndihmon në një mirëkuptim të thellë midis dy popujve. Kjo është një bazë e fortë për lidhjen mes dy vendeve. dhe etapat që kemi kaluar pas regjimit komunist janë të ngjashme, por është një ritëm i ndryshëm. Shqipëria mund të mësojë nga eksperienca e Rumanisë p.sh tani për tani për Shqipërinë do të vijë liberalizimi i vizave, Rumania ka eksperiencë nga kjo etapë e afrimit me Bashkimin Europian, dhe ju mund të studioni çfarë efektesh ka pasur në Rumani. Unë do të përmendja largimin i forcës së punës, e pjesës së kualifikuar.

Pra largimi i trurit menjëherë pas liberalizimit të vizave?

Po. Aktualisht ne kemi një mungesë për forca pune në tregun e punës, po flas për njerëz të kualifikuar. Çdo ditë në Rumani tre ose katër mjekë largohen nga drejt perëndimit për kushte më të mira pune, për pagesë më të mirë etj, etj.

Pra, dhe Rumania e vuan një gjë të tillë apo jo?

Kur je brenda Bashkimit Europian, je i detyruar të respektosh rregullat e lojës. Qytetarët rumunë kanë të drejtë të lëvizin të lirë dhe kanë të drejtë të zgjedhin se ku duan të jetojnë. Ky është një shembull se ku Shqipëria mund të mësojë nga Rumania, dhe mendoj se me marrjen e masave të përshtatshme mund të kufizohej ky largim.

Në mendimin tuaj, a duhet të ishte zhvilluar më shpejt Shqipëria postkomuniste krahasuar edhe me eksperiencën e vendit tuaj?

Në rast se gjykoni përparimin e një vendi në krahasim me vendet e tjera mund të bëjmë një klasifikim, por për mua ka rëndësi më të madhe të shikohet se si ka përparuar një vend në krahasim më potencialin e tij të brendshëm. Çdo vend nis eksperiencën e afrimit me Bashkimin Europian nga një nivel i caktuar i tij sepse secili vend ka etapat e veta të zhvillimit.

Po duke u nisur nga potenciali i brendshëm, me sa e njihni Shqipërinë a duhet ajo të kishte ecur më shpejt?

Për këtë nuk më takon mua të flas.

Si e gjykoni situatën politike në Shqipëri? Opozita kërkon hapjen e kutive të votimit, por maxhoranca është kundër. Një rast të ngjashëm patëm edhe në Rumani me rastin e zgjedhjeve presidenciale edhe aty u kërkua hapja e kutive dhe u pranua një gjë e tillë.

Nuk kemi të bëjmë më dy raste të ngjashme sepse në Rumani ne patëm krizë qeveritare. Këtu në Shqipëri është një krizë parlamentare, së dyti në Rumnai kemi pasur krizë para zgjedhjeve, në Shqipëri është pas zgjedhjeve, së treti pushteti në Rumani ka pranuar kërkesën për hapjen e kutive, këtu pushteti nuk ka pranuar, dhe e fundit në Rumani opozita ka pranuar verdiktin e gjykatës kushtetuese, këtu në Shqipëri opozita nuk pranon verdiktin e gjykatës për vlefshmërinë e zgjedhjeve. Pra ka shumë ndryshime mes dy situatave.

A duhet të jetë BE përmes ambasadorëve apo përmes të dërguarve të veçantë që duhet të ndërhyjë për të bërë mediatorin?

Ne nuk mund të ndërhyjmë.

Më përpara kjo ka ndodhur...

Unë besoj që klasa politike shqiptare ka maturitetin e nevojshëm për të gjetur një zgjidhje.

Mendoni se ky konfliktualitet i fortë mes palëve në politikë ka të bëjë me periudhën postkomuniste apo vjen nga temperamenti i vetë popujve?

Jam i sigurt se nuk ka të bëjë me eksperiencën postkomuniste. Kush di histori apo gjeografi do të shprehej kështu. Kam shërbyer dy vjet e gjysëm si diplomat i Rumanisë në Danimarkë, dhe mund të them se atje skena politike është e qetë. Të gjitha forcat politike atje në radhë të parë kanë përparësi interesin publik që është edhe në të njëjtën vijë më ideologjinë e secilës parti. Debati politik është brenda skenës politike, nuk shkon në rrugë apo në gjykata.

Pra sipas jush fajin e ka temperamenti?

Temperamenti ... shpresojmë ta edukojmë.

Kalojmë në një çështje tjetër. ǒmund të thoni për komunitetin arumun në Shqipëri?

Çfarë mund të them për situatën e arumunëve në Shqipëri pas rënies së regjimit komunist në krahasim me situatën e shqiptarëve në Rumani është se arumunët këtu gëzojnë tani vetëm një status hibrid. Janë të njohur si minoritet, por jo kombëtarë, vetëm si një minoritet linguistik, pra është një minoritet që nuk ka të drejtat që gëzojnë minoritetet kombëtare këtu në Shqipëri. Mund të them që kanë një status virtual, jo konkret. Dhe Shqipërisë i është rekomanduar që të rianalizojë statusin e arumunëve këtu, por jo vetëm.

Ju vetë keni diskutuar më autoritetet e Tiranës për këtë çështje?

Po e kam diskutuar me krerët e politikës, por tani ju keni një krizë parlamentare dhe nuk është momenti për të gjetur zgjidhje për këtë çështje. Por kjo mund të ndikojë në situatën në Shqipëri. Në shtyp ka diskutime se si do të deklarohen arumunët në regjistrimin që do të bëhet në 2011.

Mendoni se regjistrimi në bazë fetare dhe etnie është i drejtë duke patur parasysh gjithë problematikën shqiptare?

Praktika ndërkombëtare është që të kemi një regjistrim të detajuar. Nëse kërkoni në internet për regjistrimet në Rumani ju mund të gjeni shumë tregues, si gjinia, mosha, feja, kombësia, niveli i studimeve dhe shumë e shumë të tjerë tregues. Një regjistrim është një proces shumë kompleks dhe është nevoja për të gjithë këto informacione. Nuk është fjala vetëm për fe ose për kombësi.

Sot për këtë bëhet fjalë, ne kemi shumë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi që kanë ndërruar emrin dhe besimin, pra Shqipëria ka një problematikë specifike në këtë drejtim?

Çfarë mund të them është se asnjë shqiptar nuk merr kombësi rumune vetëm për përfitime ekonomike, apo të një natyre tjetër. Politika e shtetit rumun në këtë drejtim është shumë e fortë.

Pra, sipas jush, një arumun nëse deklaron të jetë i tillë, në Shqipëri është i tillë?

Besoj se po. Por ka një situatë interesante këtu në Shqipëri, kemi deklarime nga vetë shqiptarët që do të deklarojnë një kombësi tjetër. Unë mendoj se arumunët këtu në Shqipëri duhet të deklarojnë çfarë janë në të vërtetë dhe jo për përfitime politike dhe çfarë është identiteti i tij i vërtetë. Tani është një teze panevropiane, çdo person mund të deklarojë çfarë të dojë përsa i përket identitetit. Por në rast se deklaroj që jam Napoleon Bonaparti, kjo do të merrej për çmenduri, pra ne nuk mund të deklarojmë çfarë nuk jemi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›