Ambasadori rumun në Patos: Duam kontakte me komunitetin arumun
>Ambasadori rumun i akredituar në Shqipëri, George Miku ka nderuar dje me vizitën e tij qytetin naftëtar të Patosit, pas një ftese të bërë nga kryetari i Bashkisë së Patosit, Bardhi Mel. Mirëseardhjen e ka uruar vetë zoti Meli së bashku me stafin që ai drejton, teksa ka folur në veçanti për urat e bashkëpunimit mes dy vendeve mike si dhe ka kërkuar një koordinim të ndihmës edhe në vijim.
Është shumë e rëndësishme që nëpërmjet shoqatës apo ambasadës rumune të ndihmohen ata shqiptarë, të cilët kërkojnë të studiojnë dhe mësojnë në Rumani, pasi unë ju garantoj se këtu ka elementë të cilët shkëlqejnë në studime, gjë që tregon se ky qytet ka potenciale në këtë drejtim, ka deklaruar ndër të tjera Meli. Ndërkohë, nga ana e tij, ambasadori Miku ka deklaruar se interesi i studentëve ka ardhur në rritje pasi vetëm që nga viti 1991 numri i studentëve që kanë dalë nga auditorët e shtetit rumun ka shkuar në 1000 persona. Unë ju garantoj juve se ky bashkëpunim do të thellohet dhe jo vetëm 1000 studentë, por shumë në tepër do të kenë mundësi të marrin studime në vendin tonë. Ndërkohë, ne kërkojmë të marrim kontakte të herëpashershme me komunitetin arumun këtu në Shqipëri dhe në qytetin tuaj të Patosit, ka vijuar ambasadori Miku. Meli ka garantuar mbështetje nga ana e vet si për shoqatën arumune ashtu edhe për shoqata të tjera, duke treguar gatishmëri edhe për një suport të vazhdueshëm financiar. Në këtë vizitë, në shenjë respekti, ambasadori Miku ka dhuruar disa kaseta dhe albume filmash e këngësh në gjuhën rumune, për Bashkinë e Patosit.