E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama sulmon RTSH si mjet propagande i qeverisë

>Pak muaj para zgjedhjeve, PS paralajmëron shqiptarët se TVSH është një institucion që nuk duhet ti zihet besë. Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka dënuar dje nëpërmjet një deklarate për shtyp, pushtetarët që abuzojnë me Televizionin Shqiptar (TVSH). Duke ngritur  zërin në emër të opozitës së majtë, Rama ka akuzuar se nëpërmjet këtij televizioni po u bëhet lavazh truri qytetarëve duke paraqitur si sukses çdo punë të qeverisë sipas stilit sovjetik.

Dua të përcjell sot në çdo shtëpi shqiptare ndjenjën e revoltës qytetare për abuzimin e përditshëm të Televizionit Publik Shqiptar ku, njësoj si në kohët e zymta të propagandës komuniste - madje sot me taksat e të gjithë qytetarëve -, financohet një lavazh truri i stilit sovjetik me parada suksesesh, deklarata arritjesh, telegrame lëvdatash dhe fletë-rrufe fushatash. Të cilat e bëjnë këtë televizion më të turpshmin e më qesharakun e botës së lirë. Duke nënvizuar se Shqipëria nuk e meriton shfaqjen e turpshme që po i bën TVSH, Rama bëri me dije se pavarësisht se për 18 vjet me radhë, ekrani publik paguhet nga xhepat e shqiptarëve, po pas kaq vitesh ka mbetur një gërdallë e vjetër komuniste në dispozicion të pushtetarëve të radhës. Kryetari i Partisë Socialiste vë në dukje se ekrani publik ka mbijetuar falë servilizmave ndaj pushtetit dhe se po të konkurronte drejt në tregun e informacionit, do të ksihte dështuar me kohë. Televizioni Shqiptar para syve të kryesocialistit nuk ka as standardin me minimal evropian. Televizioni Publik Shqiptar nuk ka të bëjë me Europën e Bashkuar, nuk ka të bëjë me standartet europiane e me aspiratën europiane të qytetarëve e qytetareve të këtij vendi, nuk ka të bëjë me asgjë që duan e që u duhet shqiptarëve. Në prag të zgjedhjeve, Rama i kërkoi TVSH-së që të mos e menaxhojë këtë pronë publike si tribunën private të pushtetarëve të sotëm; të mos lejojë cënimin e mëtejshëm të lirisë e të së drejtës të çdo qytetari shqiptar për t'u informuar sipas standardeve demokratike nga ky ekran. PS garanton se pas zgjedhjeve do të fillojë një epokë e re, epoka e Televizionit të Qytetarëve. Televizioni Shqiptar është bërë gjithmonë pre e kritikave të opozitës së cdo kohe. Më shumë se 4 vjet më parë ishte kampi blu që kritikonte herë pas here ekranin e madh dhe më të vjetër shqiptar për fryme pushtetare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›