E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohet kërkesa për statusin e vendit kandidat në BE

>Komisioni i Jashtëm miraton projekt-rezolutën

Komisioni i Jashtëm miratoi dje me konsensus të plotë projekt-rezolutën për aplikimin e statusit të vendit kandidat në BE. Projekt-rezoluta e hartuar nga Partia Demokratike nxit qeverinë që të bëjë aplikimin e saj nëpërmjet kërkesës që do t'i dërgohet për shqyrtim anëtarëve të Komisionit Europian, të cilëve më pas iu ngelet të japin një përgjigje. Partitë politike kane gjetur konsensusin e përbashkët per t'i dhëne një shtysë qeverisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian. Sipas Preç Zogaj, kreut të Komisionit Parlamentar të Jashtëm, kjo rezolutë përfaqëson unitetin e politikës shqiptare për kërkesën për pranim në BE. Opozita ka qenë e para e cila që prej vjeshtës të vitit 2008 ka kërkuar nga qeveria të aplikojë për statusin e vendit kandidat, ndërkohë që vetë Kryeministri Sali Berisha ka deklaruar se kërkesa do të depozitohet gjatë muajve të parë të këtij viti. Deputeti socialist, Kastriot Islami në komision theksoi se "përgjigjja ndaj kërkesës do të jetë vetëm në momentin kur Shqipëria do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje të plotë me kriteret ndërkombëtare". Këto zgjedhje, vijoi ai, do të vëzhgohen me një lupë, për të parë në mënyrë të detajuar se si shqiptarët do ta implementojnë këtë moment të rëndësishëm që lidhet me realizimin e zgjedhjeve të këtij viti. Por nga ana tjetër deputeti demokrat, Besnik Mustafaj tha se "nuk është e drejtë që ne ti vëmë kushte që medoemos përgjigjen ta japin pas zgjedhjeve". "Unë do të isha që përgjigjja të jepet para tyre nga Komisioni Evropian". "Pavarësisht defekteve dhe mosarritjeve kur është fjala për interesa madhore të vendit ne do të japim konsensusin për të gjitha reformat",- u shpreh deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade. Kryeministri i Shqipërisë edhe pas konsultimeve me presidencën ceke të BE, theksoji ajo,- në një kohë të përshtatshme të bëjë aplikimin që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat. Edhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu tha se "projekti na bën të jemi të preokupuar dhe të përgjegjshëm për një stad të ri të angazhimit jo vetëm të ekzekutivit, por edhe të Shqipërisë. Këtë rezolutë, vijoi ai, "e konceptoj një përgjegjësi dhe një sfidë të përbashkët të inkurajimit të forcave politike". Mediu theksoi se "e  rëndësishme më pas është se çfarë do të bëjmë ne pas miratimit të kësaj rezolute dhe detyrimet kushtetuese që ka ekzekutivi përballë kuvendit, por edhe ne si përfaqësues të zgjedhur të popullit për detyrimet që kemi në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. Sipas ish-ministrit të jashtëm Arian Starova, njëkohësisht kryetari i Partisë Bashkimi Liberal Demokrat është shprehur ditë më parë se qeveria duhet ta kishte marre ketë hap kohë me parë. "Për shkak se marrja e ftesës se anëtarësimit në NATO, firmosja e Protokollit për në NATO dhe të MSA nga pjesa dërmuese e vendeve pjesëmarrëse, diktojnë dhe ndërmarrjen e këtij hapi përfundimtar për marrjen e statusit te vendit kandidat per ne BE",- është shprehur Starova.  Në ketë fazë kanë kaluar deri tani vetëm dy nga vendet e rajonit tone, pikërisht Kroacia dhe Maqedonia. Për Kroacinë kjo faze ka kërkuar rreth 16 muaj dhe për Maqedonin rreth 35 muaj.  Kujtojmë se dhe ministri i jashtëm, Lulzim Basha është shprehur optimist për marrjen e statusit të vendit, pasi  Shqipëria  ka tre vjet që në raportin e progresit që BE-ja nxjerr për të shënon arritje dhe konsolidime, progres dhe konsolidim në reformat e ndërmarra, progres dhe arritje në raport me detyrimet e ndërmarra karshi BE-së, pa mohuar aspak punën që duhet të vazhdojë dhe progresin që duhet të vazhdojë në një numër të madh fushash, siç kanë bërë të qartë raportet. Pra, duke pasur parasysh arritjet e vendit, Basha është shprehur se "Shqipëria shkon ballëlartë dhe me të gjitha kredencialet e nevojshme drejt fazës tjetër, e cila është ajo e aplikimit".Edhe Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin në KE, Jan Truszcynski ka shprehur optimizmin e tij në lidhje me dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë nga Komisioni Europian. Ai është shprehur ditë më parë për një media se "Unë kam shpresa të mira në përgjithësi pasi kjo gjë është provuar apo konfirmuar gjerësisht në raport-progresin tonë më të fundit për vendin tuaj Shqipërinë se në fakt vendi do të vazhdojë të lëvizë në këtë trajektore të shpejtë në të cilën ka qenë me në gjatë këtij viti të fundit".
Projekt-rezoluta do ti kalojë parlamentit ditën e hënë për miratim dhe më pas kërkesa do të depozitohet në Komisionin Europian nga kreu i ekzekutivit, Sali Berisha. Nëse Shqipëria e meriton statusin si vend kandidat në BE, është ky Komision Europian që do të japë verdiktin e fundit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›