Ambasadori suedez, Swensson: Të plotësohet KQZ, partitë politike të garantojnë një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm
Ambasadori suedez per Shqipërinë, Patrik Swensson, në një prononcim për mediat ka folur rreth situatës politike në vendin tonë. Swensson së pari është ndalur tek situata parazgjedhore dhe fakti nëse Shqipëria do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme më 23 qershor, të cilat sipas tij janë një hap mjaft i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Suedia si një vend anëtar i BE-së, është duke ndjekur me kujdes procesin e zgjedhjeve të 23 qershorit në Shqipëri dhe unë shpresoj dhe kam besim se vendi do të zhvillojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përveçse duhet të jenë të lira e të ndershme këto zgjedhje kurrsesi nuk duhet të cenojnë votën e lirë të qytetarëve shqiptarë më 23 qershor, ndaj dhe partitë politike duhet të punojnë për të garantuar një proces të tillë”- tha ai.
Ambasadori është ndalur gjithashtu edhe tek ngërçi në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili aktualisht është duke funksionuar vetëm me 4 anëtarë. “KQZ duhet që të plotësohet sa më shpejt, ai aktualisht funksionon me 4 anëtarë, por duhet që të plotësohet me 7 të tillë në mënyrë që procesi zgjedhor të ketë një mbarëvajtje të mirë dhe të sigurojë zgjedhje të ndershme. Rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian ku ajo aspiron të hyjë mund të hapet vetëm nëpërmjet realizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, vetëm kështu vendi mund të integrohet në familjen europiane”- deklaroi Swensson.
Këto deklarata ambasadori suedez në Tiranë i ka bërë nga Korça ku zhvilloi një vizitë në një nga ekspozitat për klimën, realizuar nga fëmijët e shkollave të Korçës në bashkëpunim me Ambasadën suedeze.