E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tabaku: Filozofia e Modelit Rama – Kokëdhima është vjedhja e taksave, ja sesi ortaku i Ramës futi të gjithë unazën prej 25 metrash të gjerë, si sipërfaqe e sheshit të ndërtimit

11-05-2013 / Gazeta 55

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku publikon lejen e ndërtimit të firmosur nga Edi Rama, për Kokëdhimën: “Ish kreu i Bashkisë zëvendësoi trëndafilin e PS-së me thesin e Koços”

Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku bëri publike një leje ndërtimi të dhënë për Koço Kokëdhimën nga Edi Rama, në kohën që drejtonte bashkinë e kryeqytetit. Modeli Koço-Rama nuk është vetëm vjedhja e taksave, por edhe përvetësimi i hapësirave publike dhe private, me qëllim shndërrimin e tyre në në pallate shumëkatësh. Tabaku tha se leja e ndërtimit e publikuar nga Bashkia e Tiranës, është unike në llojin e vet ku ndërtuesi Kokëdhima ka futur të gjithë unazën prej 25 metrash të gjerë, si sipërfaqe e sheshit të ndërtimit. “Dje të gjithë shqiptarët filluan të lexojnë fletët e para të librit “R-K, ku shkruhet qartë  modeli Rama – Kokodhima”. Taksapaguesit e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë u shokuan kur panë nëpërmjet dokumentave zyrtarë, se si shumica dërrmuese e tenderave të Bashkisë së Edi Ramës,      për 11 vjet me radhë kishin përfunduar në thesin e Koço Kokëdhimës. Ky modeli futi në thesin e Kocos jo pak, por mbi 19 milionë dollarë! Shqiptarët mësuan se filozofia e modelit Rama – Kokdhima  është vjedhja e taksave: Rama i kishte falur Koços, si t’i kishte paratë e tij,  1.25 milionë dollarë nga detyrimet që i kishte bashkisë dhe qytetarëve të Tiranës. Por kjo është vetëm pjesa e parë. Sot do t’ju tregojmë një anë tjetër të këtij modeli. Kjo është një lëje ndërtimi, e dhënë nga Rama, unike në llojin e vet, ku ndërtuesi Kokëdhima ka futur të gjithë unazën prej 25 metrash të gjerë, si sipërfaqe e sheshit të ndërtimit! Por pse duhej përfshirë unaza e madhe e qytetit në shesh ndërtimi të pallatit të Kristaq Kokëdhimës. Sepse vetëm në këtë mënyrë, duke shpallur edhe të gjithë gjërësin e unazës në shesh ndërtimi Koço mund të dyfishonte sipërfaqen e ndërtimit e cila në përputhje me normat e urbanistikës pa sipërfaqen e unazës, duhet të ishte dy herë më e vogël. Jo vetëm kaq, por ndërtimi i Koços del edhe përtej kësaj sipërfaqje dhe shtrihet në pronat e fqinjit! Ne po ju vëmë në dispozicion këtë kopje të planimetrisë së objektit dhe të sheshit të ndërtimit”- u shpreh Tabaku. Si kjo leje e kundraligjshme, Koço ka marrë 4 të tilla nga Rama me 25,000 m2 ndërtime dhe betonizim të qytetit. “Shqiptarët e kanë ditur, por sot e kanë edhe të dokumentuar, se modeli Rama – Kokëdhima është modeli i përfitimit të shumicës absolute të tenderave për vete, i zaptimit të hapësirave publike dhe pronës private, i vjedhjes së taksave të parashikuara për shtrimin e rrugëve dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve.Tirana i tha “Jo” këtij modeli. Tani do t’i thotë “Jo” e gjithë Shqipëria, sepse shqiptarët e panë se simboli i Partisë Socialiste, trëndafili, është zëvendësuar nga thesi i Koços. Partia Demokratike është e vendosur për një jetesë më të mirë, bazuar në taksa të ulta, në përmirësimin e klimës së biznesit, përfshi prokurimet elektronike për të mundësuar barazinë e të gjithëve në tendera, dhe natyrisht për respektimin e pronës në përputhje me shtetin ligjor. PERPARA!”- deklaroi nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Jorida Tabaku.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›