Berisha, Ramës: Mohon rrugët, por udhëton me autobus luksoz në rrugë pa gropa
Kryeministri: Rritja e pensioneve dhe rritja e pagave, politikë konstante e qeverisë
Gjatë përurimit të lotit të dytë të rrugës Kukës-Shishtavec, sot në Qarkun e Kukësit, kryeministri Sali Berisha akuzoi kreun e PS-së, Edi Rama se mori vulën e bllokuesit, duke i privuar Shqipërisë marrjen e statusit të vendit kandidat. Kreu i qeverisë i bëri thirrje mbarë shqiptarëve që të votojnë më 23 qershor për Partinë Demokratike në mënyrë që të mos pengohet më ëndrra e tyre europiane. “Le të ecim ne drejt mandatit të ri. Le të firmosim së bashku me 23 qershor fitoren më të shkëlqyer në historinë tonë. Jam këtu para jush për tu zotuar se çdo votë do të shndërrohet në rrugë, çdo mbështetje do të shndërrohet në autostrada dhe në shkolla të reja, në kopshte, në subvencione të mëdha për fermerët, në biznese, në lehtësim të klimës së biznesit, do të shndërrohet në hapa të sigurt drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, do të shndërrohet në hapa drejt shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar”- u shpreh Berisha. Ai e quajti alternativë mohimi alternativën e majtë të Edi Ramës, që mohon çdo gjë që është ndërtuar dhe injoron realitetin. Kryeministri ironizoi udhëtimin e Edi Ramës me autobus luksoz në rrugët e ndërtuara nga qeveria, që siç tha ai, nuk gjen asnjë gropë. “Sot ka një alternativë tjetër, e cila mohon çdo gjë. Zoti Rama udhëton me një autobus luksoz në rrugë pa gropa dhe vrapon ku të gjejë një gropë. Del burri, 2 metër i gjatë, tek një gropë me Kujtim Qefalinë, deputetin e tij, në një komunë socialiste, e të vjen në mendje se i kanë bërë vetë gropat. Zoti Rama, në Shqipëri janë ndërtuar rrugë në të katër anët. Vetëm në qarkun e Kukësit janë mbi 500 kilometra rrugë, rrugë kombëtare, rrugë rurale dhe të të gjitha llojeve. Por përsëri në Shqipëri, përsëri në Kukës, në Tropojë, në Përmet, në Berat, në Kolonjë ka qindra e qindra kilometra rrugë të paasfaltuara. Ajo çka u themi këtyre qytetarëve është se ne që asfaltuam gjatë këtyre viteve mbi 10 mijë kilometra rrugë, që asfaltuam mbi 8 mijë kilometër rrugë rurale të Shqipëri, kemi vullnetin, kemi zotimin dhe kërkojmë mbështetjen tuaj për të asfaltuar çdo kilometër rrugë, aty ku jetojnë shqiptarët. Kryetari i komunës informoi këtu se kemi ndërtuar 3 shkolla në këtë komonë. Në rrethin e Kukësit ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 39 shkolla. Unë jam sot këtu për t’u zotuar se katër vitet që vijnë do të ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, do të modernizojmë çdo shkollë. Ne kemi ndërtuar me dhjetëra qendra shëndetësore, do të ndërtojmë të tjera. Kukësi sot është me universitet dhe me stadium. Ne do të bëjmë gjithçka që katër vitet që vijnë Kukësi dhe i gjithë rrethi të ecin drejt mëkëmbjes, të ecin drejt mirëqenies. Në anën tjetër është alternativa që ju e shihni, alternativë mohimi. Ai thotë - asgjë nuk është bërë. Një herë deklaron se janë ndërtuar gjithsej 600 kilometër, pastaj thotë 1500, pastaj thotë se nuk ekzistojnë më shumë se 6000 kilometra rrugë në Shqipëri. E vërteta është se kjo bazohet në mosnjohjen, në injorimin e realitetit, në mohimin e realitetit. Shqipëria e tëra, në çdo territor të saj, do të zhvillohet. Alternativa tjetër është alternativë e damkosjes. Vrapojnë të gëzuar, kur marrin vesh ndonjë lajm jo të mirë. Pak kohë më parë shpallën 56 përqind të shqiptarëve analfabet. Harruan se me këtë lënduan jo vetëm fëmijët, jo vetëm këtë gjeneratë, por të gjitha gjeneratat e shqiptarëve, nga themelimi i alfabetit shqiptar e deri më sot, të cilët pasion kryesor kanë shkollën dhe shkollimin e fëmijëve të tyre. Ndaj dhe ne do të bëjmë gjithçka për shkollimin sa më të mirë të fëmijëve tanë”- tha Berisha. Shefi i ekzekutivit theksoi gjithashtu se Rama po lufton dhe investitorët, duke kundërshtuar ashpër koncensionet. “Ai ngrihet me forcë kundër koncesioneve, ndërtimit të hidrocentraleve. Pas 30 vitesh ne ndezëm në Shqipëri garën më të shkëlqyer të ndërtimit të hidrocentraleve, të shndërrimit të këtyre ujërave në vlera për qytetarët shqiptarë, ujëra të cilat derdheshin të fjetura në det. Ne do të vazhdojmë ndërtimin e hidrocentraleve, deri sa edhe përroi i fundit i këtij vendit të prodhojë energji elektrike”- theksoi kryeministri. Më tej, Berisha kujtoi veprat në 8 vite të kësaj mazhorance, garantoi shqiptarët se çdo votë e tyre në mbështetje të koalicionit të djathtë do të shndërrohet në rrugë, biznese, shkolla, grante për fermerët, hapa të sigurtë drejt integrimit, shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar. Ai u zotua edhe për rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve. “Në këto vite kemi dyfishuar pensionet në fshat. Ju jap fjalën se rritja e rrogave dhe pensioneve do jetë politikë konstante e imja. Ne që asfaltuam gjatë këtyre viteve mbi 10 mijë km rrugë ne kemi vullnetin dhe zotimin, kërkojmë mbështetjen tuaj për të asfaltuar çdo km rrugë. Shqipëria e tëra në cdo territor të saj do zhvillohet. Katër vitet që vinë do ndërtojmë dhe rindërtojmë çdo shkollë, do ndërtojmë të tjera qëndra shëndetësore, Kukësi sot është me universitet, stadium. Do bëjmë gjithcka që katër vitet që vinë Kukësi dhe gjithë rrethi të ecë drejt rimëkëmbjes. Pas 30 vitesh ne ndezëm në Shqipëri garën e shkëlqyer të ndërtimin të HEC-ve. Ne do vazhdojmë ndërtimin e tyre deri sa dhe përroi i fundit i këtij vendi të prodhojë energji elektrike. Le të firmosim me 23 qershor fitoren më të shkëlqyer. Jam këtu të zotohem se çdo votë do shndërrohet në rrugë, biznese, hapa të sigurtë drejt integrimit, shndërrimit të Shqipërisë në një vend të zhvilluar”- përfundoi Berisha. Ndërtimi i rrugës Kukës – Shishtavec, së bashku me ndërtimin e 4 ujësjellësave në fshatrat Borje, Shtrezë, Oreshkë dhe Novosej, nxjerr këtë zonë nga izolimi duke i ofruar mundësi reale zhvillimi. Është lidhja e vetme me rrugën nacionale dhe qytetin e Kukësit, por edhe me rrugën e Kombit dhe Kosovën për 19 fshatrat e Komunave Zapod, Topojan dhe Shishtavec. Ka 35 vjet që në këtë rrugë nuk është kryer asnjë investim. Banorët e këtyre komunave nuk arrinin të plotësonin nevojat e tyre imediate për transport si urgjencat shëndetësore, transportin e prodhimeve bujqësore dhe blegtorale në treg etj. Rruga është e pajisur me të gjithë elementët e nevojshëm të infrastrukturës, ura, sinjalistikën, kanalizimet e ujrave të bardha dhe, vepra arti. Bukuritë natyrore të bjeshkëve të Shishtavecit, do të jenë të prekshme për të gjithë vizitorët e turistët.
...