E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori ynë në Romë, incident në polici

 

Djali i ambasadorit Llesh Kola u shoqërua për mungesë dokumentacioni të makinës. Kola kërkoi shpjegime

Llesh Kola ka tentuar të hyjë në komisariatin numër 2, duke kundërshtuar policin e rojës

TIRANË- Ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, është përfshirë në një incident me policinë, pas shoqërimit të djalit të tij. Ngjarja ka ndodhur dy netë më parë, në ambientet e komisariatit të policisë nr.2, pranë "21 dhjetorit" në Tiranë. Burime nga policia thanë se ambasadori i vendit tonë në Romë ka kërkuar të hyjë në ambientet e komisariatit, por nuk është lejuar nga polici i rojës. Ky i fundit, pasi ka dhënë urdhrin e procedurës që duhet të ndjekin personat që të hyjnë në komisariat, është përballur me kundërshtimin e ambasadorit Kola, i cili kërkonte sqarime për shoqërimin 10 minutësh të të birit në mjediset e këtij komisariati.

***

Zyrtarë të policisë konfirmojnë se efektivat e policisë kanë ndaluar dy netë më parë Fatjon Kolën, djalin e ambasadorit të Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, pasi automjeti i tij dyshohet se kishte mungesë dokumentacioni. Fatjon Kola ka qenë duke udhëtuar në zonën e ish-bllokut në Tiranë, kur është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë. Këta të fundit i kanë kërkuar dokumentacionin e automjetit dhe pas verifikimeve të kryera, Kola kishte mungesë në dokumentacion. Djali i ambasadorit u paraqit në ambientet e komisariatit nr.2, ku dhe do të jepte sqarime lidhur me dokumentet që ai dyshohet se nuk dispononte për automjetin me të cilin po udhëtonte. Megjithëse djali i ambasadorit është mbajtur vetëm 10 minuta në komisariat dhe është lënë i lirë, fill pasi policët kanë mësuar se ishte i biri i Kolës, ky i fundit nuk ka nguruar të shkojë në polici dhe të kërkojë "llogari" për shoqërimin e djalit të tij.

***

Sapo ka mbërritur në ambientet e komisariatit të policisë nr. 2, ambasadori i vendit tonë në Romë, Llesh Kola, i ka kërkuar policit rojë, i cili qëndron te porta kryesore e komisariatit që te hynte brenda. Burime nga policia thanë se ambasadori ka tentuar të hyjë në ambientet e brendshme të komisariatit pa iu nënshtruar fillimisht procedurave ligjore. Sapo ky i fundit i ka treguar rregullin Kolës, është përballur me tonin e ashpër të ambasadorit. Sipas policisë, Kola ka treguar se ishte ambasador dhe duhej të hynte në komisariat, duke i quajtur të panevojshme rregullat që po i tregonte polici roje. Pavarësisht se Kola është prezantuar, ai nuk ka paraqitur asnjë dokument identifikimi, duke krijuar dyshime te polici roje i cili ka insistuar të mbrojë procedurat.Burimet policore thanë për "Shekullin" se pas këtij incidenti, ambasadori u largua nga komisariati, ndërsa polici roje është ankuar tek eprorët e tij. Por zyrtarët e komisariatit numër 2 pohuan mbrëmë se nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për këtë çështje, duke e quajtur gjithë ngjarjen një "keqkuptim" të padëmshëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›