Tokat në Kashar, hetim krerëve të Hipotekës nga 2001-2007
Falsifikimet e tokave në komunën e Kasharit janë regjistruar në hipotekën e Tiranës
TIRANË- Prokurorët eTask-Forcës përfshijnë në sitën e hetimit të gjithë drejtuesit e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të kryeqytetit nga vitit 2001 – 2007, kohë kur mendohet se janë kryer abuzime të stërmëdha me tokat në Kashar. Burimet zyrtare pranë seksionit të Task-Forcës konfirmuan për "Shekullin" se janë evidentuar disa raste të bashkëpunimit nga të pandehurit e arrestuar për këtë çështje me drejtues dhe punonjës të Hipotekës në Tiranë, ku këta të fundit regjistronin pronat me dokumente të falsifikuara. "Nga hetimet katërmujore të prokurorit Armand Gurakuqi, ka rezultuar se janë shitur në mënyrë të paligjshëm mbi 40 hektarë tokë që ndodhen anash autostradës Tiranë-Durrës dhe brenda fshatit Kashar. Këto prona fillimisht janë përvetësuar me anë të dokumenteve të falsifikuara dhe më pas janë shitur tek biznesmenë të tjerë, ku shitësit e paligjshëm kanë përfituar shuma të mëdha parash të cilat i kanë ndarë së bashku",-thuhet nga burimet. Po sipas këtyre burimeve, konfirmohet se dy të arrestuarit e katër ditëve më parë, Bashkim Kusi dhe Ruhi Valiasi, janë të "besuarit" e komunarëve, të cilët përfitonin pronat me anë të falsifikimit dhe më pas i shisnin ato troje që ndodhen në juridiksionin e komunës së Kasharit. Ndërkohë, vetëm pak muaj më parë, prokuroria me vendim të togave të zeza arrestoi Alfred Sulaj, Naim Karaj dhe Faik Fejza, ish-kryetarët e kësaj komune për periudhën 2000-'03 dhe 2003-'07, të pandehurin Islam Shera, ish-kryeplak i kësaj komune, Shefqet Alikaj, ish-përgjegjës në zyrën e Kadastrës, Ismail Sulaj, Xhevair Hyka dhe Ilir Sulaj, ky i fundit shofer i kryetarit të komunës i cili u arrestua pasi iu gjet një armë pa leje në momentin e arrestimit. Ndërsa me arrestimin e Bashkim Kusit dhe Ruhi Valiasit si dhe shpalljes në kërkim të dy personave të tjerë, numri i të pandehurve të kësaj dosje ka arritur në 12 persona. Mbi të gjithë të arrestuarit rëndon akuza e "falsifikimit të dokumenteve" më shumë se njëherë nga personi që ka për detyrë të lëshojë dokumente zyrtare. Gjithashtu, mësohet se pjesë e këtyre hetimeve janë bërë edhe të arrestuarit e pak ditëve më parë, ku u prangosën tre regjistruesit Artan Mehmeti, Ramiz Hykja dhe Enton Babameto, pasi ka rezultuar se në disa raste ata kanë regjistruar pronat në Hipotekë me kërkesë të komunarëve të Kasharit. Sipas akuzës, të pandehurit e dosjes së "Kasharit" duke përfituar nga fakti se në fshatin ku ata jetonin dhe punonin banorët kanë përfituar tokë në dy kategori, nga ish-fermat bujqësore dhe ish-kooperativat, si dhe fakti që komisioni i vitit 1992 ka lënë një sipërfaqe të vogël të pandarë kanë kryer një sërë falsifikimesh në dobi të tyre. Falsifikatorët e ndryshëm pas vitit 2000, sapo gjenin sipërfaqe toke që banorët e kishin përfituar me ligjin 7501 dhe që ende nuk e kishin regjistruar në Hipotekë, lëshonin dublikatë të aktit të marrjes së tokës në pronësi. Ndërkohë, të njëjtët persona bllokonin në Hipotekë regjistrimin e pronave të personave që e kishin përfituar ligjërisht tokën, duke u mundësuar falsifikatorëve regjistrimin dhe kryerjen e procedurave.