Ambasadorja Britanike: Imuniteti, jo për t'u mbrojtur nga drejtësia
Një ditë pas deklaratave të ambasadorit amerikan John Whithers për mos përdorimin e imunitetit nga politikanët si një mburojë për korrupsionin, i njëjti mesazh për heqjen e imunitetit vjen dhe nga Ambasada Britanike në Tiranë. Gjatë fjalës së saj në konferencën për çështjet e transparencës në deklarimin e pasurive të zyrtarëve, ambasadorja britanike Fiona Mcilëham nënvizoi se imuniteti nuk duhet të mbrojë individët por institucionet. "Imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato përfaqësojnë jo individët. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ata që nuk kanë se çfarë fshehin nuk duhet të kenë as frikë.",- theksoi ambasadorja britanike.
Fiona Mcilëham ripërsëriti ato pika të raportit të progresit ku vendi ka shumë për të bërë,dhe që vazhdojnë të mbeten problem serioz. "Progres raporti e tha shumë qartë se korrupsioni mbetet një problem serioz dhe i përhapur për Shqipërinë. Raporti komentoi dhe kapacitetin e administratës, dhe në organet e tjera të auditivit të cilët kanë nevojë për të forcuar në mënyrë të veçantë sidomos luftën kundër konfliktit të interesit."- tha diplomatja e cila shtoi se Britania do të vazhdojë të ndihmojë Shqipërinë në përshpejtimin e këtij procesi. Në këtë mënyrë, ajo ka dalë pro deklaratës së djeshme, të bërë nga ambasadori amerikan, John Uithers lidhur me heqjen e imunitetit të zyrtarëve të lartë, i cili tha konkretisht se "ai nuk duhet të kthehet në një strehë për ata që abuzojnë me pushtetin".
Në këtë mënyrë duke marrë shkas pikërisht nga raport-progresi i Komisionit Europian për Shqipërinë, përfaqësuesit e huaj në vendin tonë kanë rritur ndjeshëm presionin mbi politikën shqiptare në përgjithësi dhe qeverinë në veçanti, për të krijuar kushtet e nevojshme që drejtësia të kryejë funksionet e veta edhe mbi zyrtarët e lartë. Për këtë arsye ata kanë ngritur shqetësimin e tyre lidhur me mburojën që i krijon imuniteti zyrtarëve të lartë, kryesisht politikanëve.