E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pacienti i Kristos vari veten pas terapisë dhunë, në klinikë


"Mashtrimet" e Kristos si mjek popullor

I arrestuari përdorte dhunën si një nga format më të zakonshme të mjekimit në shtëpinë e tij kur priste pacientët



F.P, tri ditë pas vizitës së kryer në ambientin e të arrestuarit dhe mjekimit u gjet i vetëvarur në banesën e tij

TIRANË- Artan Kristo, i njohur ndryshe me emrin fetar Muhamed Abdullah Al Albani, që tashmë ndodhet në dhomat e paraburgimit në kryeqytet, nën akuzën e "nxitjes dhe propagandës për kryerjen e akteve terroriste", prej kohësh në qytetin bregdetar të Durrësit punonte edhe si mjek popullor (alternativ). Këtë profesion, sipas dosjes hetimore, i arrestuari Kristo pretendonte para pacientëve të tij se e zotëronte prej 14 vitesh. Ai iu thoshte njerëzve se studionte mjekësinë dhe teologjinë njëkohësisht, ndërsa për shërimin e të sëmurëve nga Xhindi (magjia e zezë) ai përdorte edhe metoda të dhunës. Sipas informacioneve që Shërbimi Informativ Shtetëror i ka deleguar prokurorisë së kryeqytetit, ("Shekulli" disponon një kopje të tyre), i arrestuari Kristo prej kohësh mashtronte njerëz të ndryshëm "hallexhinj", duke iu premtuar se shëronte sëmundje të rënda deri edhe SIDA- n.

"Aktivitetin e tij mjekësore si mjek popullor, për shërimin e sëmundjeve të ndryshme me ndihmën e interpretimin e Kuranit, i arrestuari Kristo e ushtronte në rrugicën e Gjykatës së Apelit në Durrës, në një banesë dy katëshe në rrugën "Bajram Curri" të lagjes 14 në Shkozet. Për këtë aktivitet ai nuk dispononte asnjë licencë nga Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës"- thuhet në dosjen me nr. 2915. Sipas saj, Kristo përdorte fenë islame për përfitimet e tij vetjake duke pretenduar se është hoxhë që shëron njerëzit nga "Xhindët" (magjinë e zezë) duke u lexuar "ajete kuranore" e dhunë fizike. "Përdorimi i dhunës fizike, bëhej duke mbërthyer fort të sëmurin me persona të afërt, në klinikën mjekësore duke rrahur fort pacientin për t'i nxjerrë xhindët nga trupi i tij"- theksohet në provat e administruara në dosje. Për këto "mjekime" dhe të tjera si këto i dyshuari Kristo përfitonte shuma të mëdha financiare.

Por në disa raste këto metoda të mjekimit kanë përfunduar në vetëvrasje, vdekje të pacientëve apo edhe dëmtime të tjera të shëndetit të personave të ndryshëm. "Më datë 11 shtator 2007 personi me inicialet F.P. nga Durrësi është vetëvarur pas trajtimeve shëndetësore të dhunshme dhe me rrahje ndaj tij në këtë qendër. Për këto arsye më datë 19 shtator 2007 janë thirrur në Drejtorinë e Policisë së Durrësit, lidhjet e ngushta të Artan Kristos shtetasit me inicialet F.M.; B.M. e A.B. të cilët punonin në klinikën e tij. Ata kanë deklaruar se personi i vetëvarur F.P. është kuruar në qendrën e tyre për një periudhë 2 mujore. Ata i kanë kënduar vazhdimisht pjesë nga Kurani"-thuhet në informacionet që SHISH-i i ka dorëzuar prokurorisë. Gjithashtu, nga përgjimi i numrave telefonikë të të dyshuarit Kristo, ka rezultuar se ai mbante komunikim të vazhdueshëm me shumë persona, si nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Italia, Zvicra etj, etj, të cilët merrnin mjekime të vazhdueshme nga "mjeku i njohur popullor".

"Gjatë komunikimit me një "punonjës të kësaj klinike" Artan Kristo flet "në lidhje me një ilaç, që nuk ka bërë asnjë efekt dhe që ka mundësi të jetë i skaduar dhe se "po kërkojnë shkaqet, nëse vdes, djemtë e tij mund t'u thonë se, e kanë pasur këta fajin (për Kriston me punonjësit e tij). Gjithashtu, është përgjuar edhe biseda e Kristos me një person nga Kavaja, të cilit i kërkonte 12 mijë euro për t'i shëruar një fëmijë me probleme komunikimi (autizmi) duke bërë të flasë 300 fjalë. Gjatë një bisede me një person tjetër, Kristo flet për një pacientit të tij, të cilin e kanë mashtruar duke i dhënë si kurë "gjethe të ullirit""- thuhet në përgjimet që prokuroria i ka administruar dhe nuk ia ka dhënë mbrojtjes.

Përgjimet:

Pacienti sms Kristos: Shëndeti është gjithnjë e më keq, iku dhe dora e majtë, por më ke ndihmuar
Një fëmijë nga Tirana vdiq pas mjekimeve

Ndërkohë, nga këto përgjime janë faktuar raste të ndryshme, kur i dyshuari Kristo kërkonte shuma të mëdha parash, për shërimin e sëmundjeve si kancer, SIDA, probleme mëlçie, zemre etj etj.

"Me datë 23 prill 2008 Kristo ka biseduar me një person të cilit i kërkon llogari, se pse kishte nxjerrë llafe se një fëmijë i vogël paska vdekur nga ilaçi që i ka dhënë ai, fëmija kishte mbiemrin Muça me banim në Tiranë ndërsa me origjinë nga Burreli. I sëmuri me mëlçi, pasi ka pirë ilaçin e rekomanduar nga Kristo, pas dy ditësh kishte ndërruar jetë. Në një rast tjetër, një shtetasi italian me vëllanë e tij të sëmurë rëndë, i është kërkuar nga Kristo shuma mbi 30 mijë euro për ta shëruar nga kanceri...Me datë 16 shkurt 2008, Kriston e merr në telefon një person i cili i thotë se "...Kam këtë italianin këtu në Kavajë, por, po më ankohet. Nuk më kanë bërë shërbimin thotë..."- citohet në pasazhet e marra nga përgjimet e bisedave telefonike të kryer nga SHISH-i. Gjithashtu, sipas kësaj dosjeje, përmendet edhe një djalë me banim në kryeqytet të cilit Kristo i ka kërkuar 50 mijë euro për ta shëruar, por ai ka vdekur dhe nuk u shërua.
"Më datë 22 qershor 2008 Kristo ka marrë një mesazh në gjuhën italiane nga një person me numër +393923......, ku shkruhet : "Përveç kësaj, shëndeti është gjithnjë e më keq, iku dhe dora e majtë tani jam pa duar dhe po përkeqësohet çdo ditë. Ishalla kur të kem lekët do t'i jap të betohem nëse jam gjallë edhe nëse nuk do shërohem unë e njoh punën që ke bërë o Muhamed dhe në qoftë se nuk të kam mundur të të paguaj kjo nuk varet nga vullneti im...", përfundon sms-ja e administruar në dosje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›