E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prapaskenat e Berishës për të bllokuar ambasadoren Glover në krye të ODIHR-it

Kryeministri, sulm ”underground” ndaj ambasadores që hartoi raportin e vitit 1996. Berisha është përpjekur ta bllokojë znj.Glover me anë të kanaleve diplomatike

Shaban Sulçe

Tashmë nuk ka asnjë dyshim se autori i tentativave për bllokimin dhe refuzimin e ambasadores britanike Odrei Glover në krye të misionit të vëzhguesve ka qenë dhe është kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit ende nuk e ka harruar raportin të hartuar nga Glover, raport i cili evidentonte manipulimet e rënda që iu bënë procesit zgjedhor të vitit 1996. Për këtë arsye Berisha është përpjekur që të bllokojë dhe pengojë rikthimin e Gloverit në Shqipëri me të njëjtën detyrë, pra atë të kryesimit të misionit të vëzhguesve të ODIHR-it për zgjedhjet e këtij viti. Megjithatë, interesant është fakti se këto përpjekje të Berishës janë “underground” dhe po bëhen prapa kuintave. Kryeministri nuk ka zgjedhur që të kontestojë hapur dhe personalisht emërimin e Gloverit, duke shmangur kështu presionin dhe konfliktin e drejtpërdrejtë me faktorin ndërkombëtar. Për këtë arsye ai ka planifikuar të përdorë instrumente të tjera. Burime diplomatike bëjnë të ditur se kryeministri Berisha ka planifikuar të fusë në lojë ministrin e Jashtëm Lulzim Basha si dhe përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë pranë OSBE-së për të kërkuar pengimin e znj. Glover në krye të misionit të vëzhguesve të zgjedhjeve në Shqipëri. Instrumentet diplomatike të qeverisë do të përpiqen ta shfaqin si të panegociueshme kërkesën e palës shqiptare, që në të vërtetë mbetet një kërkesë e kryeministrit Sali Berisha: zëvendësimin e menjëhershëm të znj. Glover, pavarësisht emrit që do ta zëvendësojë atë.

Hakmarrja
Qëndrimi hakmarrës i kryeministrit Sali Berisha ka lidhje me raportin që ambasadorja britanike Odrei Glover hartoi në vitin 1996, ku i cilësoi zgjedhjet parlamentare të atij viti si të manipuluara. Në atë kohë Glover ishte në të njëjtën detyrë që ka aktualisht, pra atë të shefes së misionit të vëzhguesve të ODIHR-it në Shqipëri. Zgjedhjet problematike të majit 1996 krijuan një klimë të vështirë me vëzhguesit e ODIHR-it në atë kohë dhe raporti vlerësues i kësaj organizate u cilësua nga e djathta në pushtet si jo realist. Pikërisht përplasja e atyre viteve ka bërë që po kjo e djathtë, e cila është sërish sot në pushtet, ta kundërshtojë emërimin e ambasadores Glover. Madje, sipas eksponentëve të shumicës, raporti i atëhershëm i ODIHR-it u kritikua edhe nga faktorë të tjerë ndërkombëtarë, dhe jo vetëm nga qeveria shqiptare.

Shmangia
Vera e vitit të kaluar nxori në pah një tjetër përpjekje të qeverisë, e cila shkaktoi polemika të shumta dhe u pasua me shqetësime të mëdha nga faktori ndërkombëtar. Një vit më parë, qeveria shqiptare u përpoq që të shmangte praninë e misionit të OSBE-së në Tiranë. Pas alarmit që dha në media një diplomat amerikan, sinjalet u dhanë edhe nga ambasadori shqiptar në OSBE, sinjale që përforconin planin e qeverisë për të shmangur nga vëzhgimi i zgjedhjeve të vitit 2009 misionin e OSBE-ODIHR-it në Shqipëri. Më 17 korrik 2008, ambasadori shqiptar në OSBE, Gilbert Galanxhi, gjatë fjalës së mbajtur në një konferencë të OSBE-së në Vjenë, la të kuptohej se Shqipëria mund të mjaftohet vetëm me një vëmendje direkte të BE-së, ndërsa nuk është shprehur qartësisht lidhur me prezencën në terren të përfaqësuesve të OSBE-së. Kjo deklaratë, por edhe veprime të tjera të qeverisë, sollën reagimin mjaft të ashpër jo vetëm të opozitës shqiptare, por edhe të Ambasadës së OSBE-së në Tiranë. Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh, dha një prononcim të qartë dhe të prerë, sipas të cilit OSBE-ja nuk e mendonte fare largimin nga Shqipëria dhe se ishte e vendosur të monitoronte procesin zgjedhor të vitit 2009. Përballë presionit ndërkombëtar dhe shqetësimeve të shprehura, kryeministri Sali Berisha u detyrua të tërhiqej dhe të pranonte praninë e OSBE-së në vëzhgimin e zgjedhjeve të vitit 2009 në Shqipëri.

13 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›