E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja Myler Procesi i paperfunduar i Tiranes ngjarje e rralle

Përveçse ka angazhuar në mënyrë të gjerë faktorin ndërkombëtar në vend, procesi zgjedhor ende i papërfunduar i Tiranës ka shënuar për ta edhe ngjarjen e rrallë. Cilësimi si i tillë, është i ambasadores gjermane, Karola Myler.

Nga qyteti i Kukësit, e dërguara e Gjermanisë në Shqipëri, nuk komenton vendimet e marra nga KQZ për sa kohë procesi është ende i hapur, por nuk ngurron të vërë në dukje se procesi zgjedhor i  Tiranës është tërësisht shqiptar dhe nuk ka ndodhur më parë në të paktën 200 shtete.

“Duke qenë se është një proces i hapur, proces i papërfunduar, nuk mund të jap ende një mendim në lidhje me vendimet e mara, por theksoj edhe një herë se ky është një proces shqiptar. Kjo që po ndodh në Shqipëri nuk ka ndodhur të paktën në 200 vende të botës për të cilat une kam informacion”-tha Myler.

Ndërsa vlerëson procesin në të gjithë vendin si më të mirin në 20 vitet e fundit, diplomatja gjermane, për rezultatin e Tiranës thotë se i takon kolegjit të vendosë.

“Përsa i përket çështjes së Tiranës, i takon Kolegjit Zgjedhor  të vendosë.  Kam dëgjuar se do të mblidhet të premten dhe ata do të vendosin në  mënyrë ligjore për këtë çështje.  Ne kemi një shqetësim për sa i përket  vendimarrjes, megjithatë procesi është i parë, pra që vjen në rradhë të parë.   Kodi Zgjedhor ai që duhet t’i japë përgjigje gjithë situatës. Unë mendoj se nuk do të ishte e arsyeshme që të përsëriteshin zgjedhjet, sepse kjo nuk mund ta nxjerrë vendin nga kriza e thellë politike”-tha ajo.
 
E pyetur se si duheshin trajtuar fletët e votimit të hedhura në kutitë e gabuara, ajo tha se nuk dintë një rast kur këto fletë të ishin llogaritur në rrezultatin e zgjedhjeve.

Rovena Moçka Azhornuar së fundi ( e hënë , 30 maj 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›