Ambasadorja britanike: Fotot e rastit e shtrëngimet e duarve, nuk mjaftojnë për integrimin
Ambasadorja britanike në Tiranë, Fiona McIlwham, ka përshëndetur me anë të një deklarate nisjen e punës për reformën zgjedhore. Megjithatë, ajo është shprehur se politikanët shqiptarë duhet të jenë seriozë, pasi fotot e rastit, shtrëngimet e duarve apo fjalët nuk do të mjaftojnë për procesin e integrimit në Shqipëri. Sipas saj, nëse Shqipëria do që të marrë statusin e vendit kandidat, duhet një progres urgjent dhe i besueshëm në këto reforma kyçe.
Deputetët e përfshirë në këto grupe, si edhe kryetarët e partive të tyre kanë tani një mundësi të rëndësishme për të provuar që skeptikët e kanë gabim; dhe për t`i treguar partnerëve ndërkombëtarë dhe publikut shqiptar se ata janë të angazhuar për reformat demokratike, theksoi McIlwham.
Ajo shtoi se, Mbretëria e Bashkuar dëshiron ta shohë Shqipërinë të ecë përpara me integrimin në BE në muajt e ardhshëm. Ne jemi të gatshëm të mbështesim me asistencë teknike punën e këtyre grupeve të reformave, por vetë shqiptarët duhet të drejtojnë procesin. Jam e inkurajuar nga ajo çfarë pashë sot”.