E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja e Zvicrës: “Deklaratat e Del Pontes janë personale”



Eljona Ballhysa
Pas akuzave për trafik organesh, të bëra nga ish-prokurorja Karla del Ponte, aktualisht përfaqësuese diplomatike e Zvicrës në Argjentinë, ministri shqiptar i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, thërriti dje në një takim ambasadoren e Zvicrës në Shqipëri, Ivana Enzler. Në këtë takim Haxhinasto kërkoi sqarime nëse shteti zviceran ndan të njëjtin qëndrim me atë të përfaqësueses së tij diplomatike, Del Ponte. Por, ambasadorja e zvicerane, Enzler, qartësoi se deklaratat e bëra nga ish-prokuroria e Hagës, Del Ponte, në lidhje me akuzat për trafik organesh, që implikojnë Shqipërinë dhe Kosovën, janë thjesht qëndrimet e saj personale dhe nuk shprehin qëndrimin e qeverisë zvicerane.
Takimi
“Pikëpamjet e shprehura nga zonja Del Ponte në intervistën për Euronews janë pikëpamjet e saj personale dhe nuk shprehin aspak qëndrimin apo pikëpamjet e qeverisë së Zvicrës”, - është shprehur ambasadorja e Zvicrës në Shqipëri, Ivana Enzler, gjatë takimit të zhvilluar me ministrin shqiptar të Punëve të Jashtme. Haxhinasto, nga ana e tij, i tha ambasadores zvicerane se deklaratat e zonjës Del Ponte janë të papranueshme dhe shtrembërojnë realitetin në të cilin janë zhvilluar hetimet në vitin 2003 për akuzat për trafikim të organeve njerëzore, të cilat nuk u vërtetuan asnjëherë. Pas akuzave të Dik Martit për tregti organesh nga UÇK-së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve të Luftës në Hagë u rishfaq me kërkesën për marrjen e hapave juridikë ndërsa deklaroi se shqiptarët i mbyllën hetimet. “Hetimet për këto çështje penale duhet të zhvillohen medoemos, por nuk duhet të kryhen nga autoritetet e Kosovës apo ato të Shqipërisë”, - është shprehur Del Ponte. “Ka pasur prova gjaku, shami, fotografi dhe gjëra të tilla të ngjashme nga shtëpia e verdhë në Rribë, në veri të Shqipërisë. Për ne ishte atëherë e qartë se në atë shtëpi kishte ndodhur diçka. Hetimet fillestare të gjykatës mbetën në vendnumëro për shkak se Shqipëria ndërpreu bashkëpunimin”, - është shprehur Del Ponte.
Reagimet
Ndërkaq, faktori politik shqiptar ka reaguar i gjithi njëzëri kundër këtyre akuzave të bëra si nga ish-prokurorja Del Ponte, ashtu dhe nga anëtari i Asamblesë Parlamentare të KiE-së, Dik Marti.
Një ditë më parë, Presidenti i Republikës e cilësoi raportin e Martit të pabazuar në fakte, përkundrazi, të bazuar në një rrjet thashethemesh që fabrikohen nga qarqe ultranacionaliste. Kryesocialisti Rama e cilësoi anëtarin e Asamblesë së KiE-së, Martin, asgjë më shumë veçse një sharlatan. Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Haxhinasto, në qëndrimin zyrtar u shpreh një ditë më parë se raporti i Martit është i njëanshëm, i pabazuar në fakte dhe që përbën abuzim me autoritetin e Këshillit të Europës. “Raporti është totalisht i pabazuar në fakte, prova apo realitet, çka dëshmon qartë për anësi politike të autorit, duke përbërë abuzim me autoritetin e Këshillit të Europës. Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Europës. Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova”, - shkruhet në deklaratën për shtyp të Ministrisë së Jashtme.

Deputetët shqiptarë nuk u njoftuan për votimin e raportit të Dik Martit

Deputeti shqiptar Shpëtim Idrizi, i cili është anëtar në Komisionin për Çështjet Ligjore në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, nuk ka qenë i pranishëm në mbledhjen ku është miratuar projekt-rezoluta e bazuar në raportin e Dik Martit. Po kështu as deputeti tjetër Damian Gjiknuri, që zëvendëson Idrizin në këtë komision, nuk ka qenë i pranishëm. Të dy deputetët deklarojnë së ata nuk kanë qenë të njoftuar nga Këshilli i Europës për zhvillimin e kësaj mbledhjeje dhe për votimin e raportit të Martit. Edhe deputeti Ilir Rusmali, që kryeson delegacionin e deputetëve shqiptarë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, thotë se nuk ka pasur dijeni. Sipas deputetëve të kontaktuar, njoftimi duhet të kishte ardhur nga Këshilli i Europës. Deputeti Shpëtim Idrizi, përveçse është anëtar i Komisionit të Ligjeve, është edhe anëtar i të njëjtit grup parlamentar ku bën pjesë deputeti zviceran, Dik Marti, raporti i të cilit shërbeu si bazë për projekt-rezolutën e komisionit të ligjeve. Deputeti Idrizi konfirmon se përpara fillimit të sesionit të janarit 2011, ai do të kërkojë në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Aleancës së Demokratëve dhe Liberalëve për Europën që të dalë me një qëndrim kundër projekt-rezolutës. Nëse kërkesa do t’i rrëzohet, ai do ta braktisë publikisht këtë grup. Sesioni i ri plenar i Asamblesë që do të mblidhet më 24 janar 2011. Deputetët shqiptarë do të mbërrijnë në Strasburg disa ditë më parë, për të lobuar kundër projekt-rezolutës që pritet të votohet nga Asambleja e përbërë nga 318 deputetë, përfaqësues të 47 vendeve anëtare të Këshillit të Europës.

Beqja: “Berisha, përgjegjës për uljen e indeksit të demokracisë në vend”

Partia Socialiste ka hedhur akuza ndaj maxhorancës se po instalon një sistem pa lidhje me normat e demokracisë. Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqja, e ka akuzuar kryeministrin Berisha si përgjegjës për uljen e indeksit të demokracisë në vend. Ky qëndrim i forcës kryesore në opozite vjen pas publikimit të raportit të indeksit të demokracisë, që siç e citoi Ilir Beqja, Shqipëria nuk klasifikohet një vend mirëfilli demokratik. Sipas socialistëve, kjo është Shqipëria e Sali Berishës, që shpenzon miliona për koncerte për demokracinë, ndërkohë që renditemi tre vende më keq se në vitin 2008.
“Në mënyrë të përsëritur Partia Socialiste ka denoncuar drejtimin që ka marrë sistemi politik shqiptar që prej ardhjes në pushtet të Sali Berishës në 2005-n, e sidomos pas vjedhjes së votës në zgjedhjet e qershorit 2009. Nën pushtetin e Sali Berishës demokracia shqiptare po përjeton krizën e saj më të rëndë në këto 20 vjet, e gjendur nën trysninë autoritare të një pushteti që s’ndan asgjë me parimet dhe normat e demokracisë. Dhe këtë sot nuk e thotë më vetëm Partia Socialiste, por edhe një institucion prestigjioz, siç është Economist Intelligence Unit”, - është shprehur Beqja. Për të dytën herë rresht, në raportin “Indeksi i demokracisë”, Shqipëria nuk klasifikohet si një vend demokratik, por si një regjim hibrid, si një regjim ku zgjedhjet kanë parregullsi të konsiderueshme dhe nuk janë të lira e të ndershme. “Kjo është Shqipëria e Sali Berishës dhe ky është dështimi i Sali Berishës, i cili shpenzon miliona për koncerte për demokracinë, në një kohë që na e ka kaluar edhe Bangladeshi. Shqipëria, vend anëtar i NATO-s dhe aspirant për anëtarësim në BE, nuk renditet më si një vend demokratik, por klasifikohet si një regjim hibrid, vetëm një hap larg regjimeve autoritare dhe në një kategori si Tanzania, Venezuela, Pakistani, Kirgiztani etj. Ky është një dështim i turpshëm i Sali Berishës”, - është shprehur Beqja.

20 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›