E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet lokale, nisin diskutimet për ndryshime në qeveri



Me afrimin e zgjedhjeve lokale kanë nisur dhe diskutimet për një riformatim të mundshëm të kabinetit qeveritar. Burimet kanë bërë të ditur se në prag të zgjedhjeve për pushtetin vendor do të ketë ndryshime ministrash, si në radhët e ministrave që i përkasin Partisë Demokratike, ashtu dhe në radhët e ministrave që i përkasin Lëvizjes Socialiste për Integrim. Sipas burimeve, disa nga ministrat aktualë pritet të jenë kandidatë për bashkitë kryesore në vend. Në bazë të ligjit, ata nuk mund të kandidojnë në zgjedhjet lokale pa dhënë dorëheqjen nga posti që mbajnë në qeveri dhe pa dorëzuar më parë mandatin e deputetit. Madje, burime nga selia blu bëjnë të ditur se krerët më të lartë të partisë kanë piketuar tashmë dy emrat, që pritet të jenë kandidatët favoritë për të kandiduar në Bashkinë e Tiranës dhe në atë të Durrësit. Ndërsa për kandidatin për Bashkinë e Tiranës është përfolur gjatë në qarqet e politikës dhe që bëhet fjalë për ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha, së fundi ka filluar të flitet për një tjetër ministër si kandidat potencial për Bashkinë e Durrësit. Bëhet fjalë për ministrin aktual të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri. Madje burimet bëjnë të ditur se edhe një ministër i LSI-së është kandidat favorit për të kandiduar në një nga bashkitë e mëdha.
Kandidatët
Emri i Lulzim Bashës është lakuar shpesh si kandidati më favorit i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tiranës. Sipas burimeve, deri tani vazhdon të mbetet Basha më i mbështetur në radhët e PD-së. Lulzim Basha, megjithëse është një figurë e re në PD, ka treguar se është një figurë me peshë në këtë parti, pasi përgjatë pesë viteve të PD-së në pushtet ai ka mbajtur tre poste të rëndësishme qeveritare.
Basha iu bashkua Partisë Demokratike në vitin 2005 me krijimin e KOP-it dhe menjëherë me krijimin e qeverisë së re ai u emërua ministër i Transporteve, duke marrë një nga postet kyçe të qeverisë. Pas debatit për rrugën “Durrës-Kukës” dhe akuzave të opozitës për abuzime me tenderin, Berisha zgjodhi ta largojë Bashën nga ky dikaster dhe për t’i dhënë një tjetër portofol të rëndësishëm qeveritar, atë të ministrit të Punëve të Jashtme. Ndërsa me krijimin e qeverisë së re pas zgjedhjeve të 2009-s, Berisha e emëroi Bashën në krye të Ministrisë së Brendshme. Një post kyç ky që menaxhon të gjithë marrëdhënien e qeverisë me pushtetin vendor dhe favorit për të marrë mbështetjen e partisë si kandidat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale.
Sipas burimeve kandidati favorit i Partisë Demokratike për Bashkinë e Durrësit është ministri aktual i Kulturës, Ferdinand Xhaferri. Ai njihet si anëtar i vjetër i PD-së me kontribute të hershme në strukturat e PD-së së qytetit të Durrësit. Në vitet ‘97-‘98 Xhaferri ka mbajtur postin e kryetarit të Degës së PD-së së Durrësit. Më pas ai pati një shkëputje të shkurtës nga Partia Demokratike duke iu bashkuar Partisë Demokrate të Reformuar, nën siglën e së cilës ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Shqipërisë në zgjedhjet e vitit 2005. Por, menjëherë ai iu bashkua Partisë Demokratike duke u emëruar edhe sekretar për Marrëdhëniet me Publikun në PD. Kryeministri Berisha vendosi ta kandidojë sërish në qytetin e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2009 dhe që pas zgjedhjeve ai mban postin e ministrit të Kulturës, ndërsa aktualisht përflitet si kandidat për Bashkinë e Durrësit. Në rast se dy ministrat aktualë kandidojnë në zgjedhjet për pushtetin vendor, atëherë pritet që kryeministri Berisha të riformatojë sërish qeverinë para zhvillimit të zgjedhjeve, për të zëvendësuar vendet vakante të dy ministrave në fjalë.

Haxhinasto: “Të rritet bashkëpunimi ekonomik me Rusinë”

Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto, priti dje në një takim Konstantin Kosaçjov, kryetar i Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë i Dumës Shtetërore Ruse. Në takim, ministri Haxhinasto theksoi potencialin dhe nevojën e thellimit të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe midis Shqipërisë dhe Federatës Ruse. Në vijim, Kosaçjov konfirmoi vullnetin e palës ruse për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë me Shqipërinë. Haxhinasto nënvizoi nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik e veçanërisht në energjetikë, turizëm e shkëmbimin tregtar. Në këtë kontekst, u theksua rëndësia e mbajtjes së Sesionit VII të Protokollit të Bashkëpunimit Ndërqeveritar shqiptaro-rus, i cili do të identifikojë fushat e bashkëpunimit ekonomik me interes të përbashkët. Në kuadër të bashkëpunimit shumëpalësh, ministri Haxhinasto përshëndeti përfundimet e Samitit të Lisbonës për një partneritet në rritje mes NATO-s dhe Rusisë për çështjet e sigurisë ndërkombëtare. Ministri Haxhinasto theksoi rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon si promotore e paqes, bashkëpunimit dhe e integrimit të tij. Ai gjithashtu nënvizoi rolin e Kosovës së pavarur si faktor stabiliteti dhe sigurie, si dhe u shpreh se shqiptarët do të bashkohen mes tyre, kur shtetet ku ata jetojnë, të jenë vende anëtare të Bashkimit Europian.

Moisiu: “Të ndryshojë Kushtetuta, më shumë kompetenca për Presidentin”

Ish-presidenti Alfred Moisiu i propozon klasës politike ndryshime kushtetuese, të cilat, sipas tij, janë të domosdoshme për funksionimin siç duhet të institucioneve në vend. Në një prononcim për mediat, ish-presidenti Moisiu rendit në mënyrë të detajuar arsyet e këtyre ndryshimeve, për t’i dhënë më shumë kompetenca Presidentit, duke ndihmuar edhe funksionimin e Parlamentit e të Gjyqësorit. Të gjitha këto propozime vijnë nga një grup intelektualësh e personalitetesh të shquara në vend, të cilët më 14 dhjetor kanë krijuar dhe forumin civil. Moisiu sqaron se kjo nismë mori nxitje nga shqetësimi qytetar i shoqërisë civile dhe i faktorëve të tjerë jopartiakë për gjendjen e krijuar në vend. Ngërçi politik, mosfunksionimin i duhur i institucioneve, sipas Moisiut, e bëjnë demokracinë jofunksionale dhe jo në përputhje me frymën e vërejtjeve të paraqitura nga faktori ndërkombëtar.

Dule: “Parlamenti është kthyer në mjet të qeverisë”

Gjatë fjalës së mbajtur në mbledhjen e Konferencës së Degës së Tiranës të PBDNJ-së, kryetari i kësaj partie, Vangjel Dule, deklaroi se Parlamenti i Shqipërisë është kthyer në një mjet në duart e qeverisë. Ai tha se PBDNJ-ja mori në zgjedhjet e kaluara më shumë vota por ata iu vodhën. Sipas tij, kjo situatë duhet të motivojë më shumë anëtarësinë në mënyre që në garën e ardhshme elektorale PBDNJ-së të marrë sa më shume vota. Në konferencën e Degës së Tiranës, Dule ka kritikuar sërish qeverinë për ligjin e regjistrimit të popullsisë duke përsëritur se veçanërisht minoriteti është i paqartë për ketë proces të rëndësishëm. Sipas tij, qeveria po heziton të bëjë transparent pyetësorin mbi të cilin popullsia e Shqipërisë do të deklarojë edhe etninë e saj. Sipas Vangjel Dules, i cili që nga viti 2009 është aleat me socialistët, demokracia në vend është e brishtë dhe se vendi ndodhet në një sistem pothuajse autoritar.

20 Dhjetor 2010

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›