E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja e Zvicrës: Dhuna në familje, problem shqetësues

Barazia gjinore, kusht i detyrueshëm për anëtarësimin në Bashkimin Europian

Promovimi i barazisë gjinore ishte në thelb të seminarit të djeshëm të zhvilluar nga zyra e bashkëpunimit zviceran në Shqipëri (SCO-A). Përfshirja e grave, sidomos në fushën e politikës, ishte një nga pikat kyçe të diskutuara në këtë takim. Synimi për të arritur barazi në vendimmarrje, si dhe për të ecur drejt një rruge të përbashkët, me të njëjtin ritëm, si për burrat edhe për gratë, është një nga qëllimet e projektit zviceran për Shqipërinë. “Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka treguar se ka bërë progres në këtë drejtim, megjithatë ka ende shumë për të bërë, pasi dhuna ndaj grave është ende në nivele të larta”, tha ambasadorja e Zvicrës, Yvana Enzler. Sipas saj, Shqipëria ka një kuadër ligjor që sanksionon përfshirjen e grave në të gjitha fushat, njësoj si burrat, por duhet vetëm që kjo të praktikohet. Seminari ishte i shtrirë në tri grupe pjesëmarrëse, të cilat mbronin dhe promovonin barazinë gjinore, por të shtrira në kategori të ndryshme. Grupi i parë kërkonte rritjen e ndërgjegjësimit të banorëve të zonave rurale, duke kërkuar përfshirjen e grave fermere në vendimmarrje, i dyti synonte përfshirjen e grave rome, ndërsa i treti diskutonte për gjetjen e një mënyre efikase për futjen e barazisë gjinore në qeverisjen lokale. Seminari ishte i konceptuar në formën e një bashkëbisedimi, ku paraqiteshin projekte për ndryshimin e situatës aktuale në Shqipëri dhe kërkoheshin sugjerime për përmirësimin e saj. Pjesëmarrës në këtë takim ishin edhe përfaqësues nga qeveria, shoqëria civile dhe donatorët.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›