Tirana e ndotur mbi normalen, shkaqet të papërcaktuara
Ndotja e ajrit në kryeqytet nga grimcat e pluhurit rezulton dy deri tri herë më e lartë se parametrat e Bashkimit Europian.
Eksperti i OBSH-së për ajrin në Tiranë tregon se edhe me aparaturat e reja të sapoinstaluara në dy pika kryesore, Tirana ka ndotje shumë më tepër se parametrat e lejuara.
Niveli i ndotjes së ajrit në Tiranë tejkalon me 20-30% limitet e përcaktuara nga vendet e Bashkimit Europian. Nga monitorimi i arritur nëpërmjet aparaturave të posaçme pranë ISHP-së dhe poliklinikës qendrore në kryeqytet, rezulton se ndotja vjen kryesisht nga djegiet e ndryshme, të cilat shkaktojnë edhe një sërë sëmundjesh dhe në uljen e jetëgjatësisë së kryeqytetasve.
OBSH-ja me fonde të qeverisë gjermane ka mundësuar vendosjen e dy aparaturave të sofistikuara për monitorimin e ajrit. Në inaugurimin e laboratorit të aparateve monitoruese të nivelit të ndotjes në kryeqytet ishin të pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë Borchard dhe ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili.
“Rezultatet e deritanishme tregojnë 20% deri në 30% më shumë se limitet e BE-së. Megjithatë kërkohet një monitorim më i zgjatur në kohë, në mënyrë që të përcaktojmë burimet e kësaj ndotjeje dhe tendencat se si shkon kjo ndotje. Ndotësit më problematikë janë grimcat e vogla në ajër, të cilat shkaktohen nga djegiet e ndryshme dhe pluhuri. Si Organizatë Botërore e Shëndetësisë jemi të shqetësuar për këto grimca, të cilat ndikojnë në rëndimin e sëmundjeve të zemrës, qarkullimin e gjakut dhe uljen e jetëgjatësisë së njerëzve”, u shpreh eksperti i OBSH-së për ajrin, doktor Michal Krzyzanowski.
Ambasadori gjerman i pranishëm në ceremoninë e përurimit të aparaturës u shpreh se si qëllim është ndihma e Shqipërisë në rritjen e standardeve të saja në këtë fushë, që të bëhet një vend anëtare e BE-së.
#