Zhdukja e fëmijës, policia shoqëron pesë vajza të fshatit
Pesë ditë pas humbjes së vajzës së vogël të familjes Mata në Zapod të Kukësit shtohen shpresat e kërkuesve se ajo mund të jetë gjallë. Forcat e Policisë së Kukësit kanë krehur zonën e Zapodit dhe bjeshkët e afërta në mënyrë intensive, duke ezauruar në një farë mënyre pistën e sulmit nga kafshët e egra apo ndonjë aksident. Megjithatë, burime të policisë thonë se kërkimi në terren nuk do të ndërpritet deri sa të gjendet vajza e humbur.
Pista e grabitjesPas marrjes në pyetje të familjarëve tashmë dyshohet për një grabitje nga persona ende të panjohur. Për të zbardhur ngjarjen janë shoqëruar në polici një numër personash të familjes, përkatësisht njerëzit që janë ndarë të fundit me vajzën e mitur të humbur në mënyrë misterioze. Sipas drejtorit të Policisë së Kukësit, Sadri Ramçaj, të shoqëruarit kanë qenë disa vajza të rritura, të cilat kanë qenë duke kullotur bagëtitë në vendin ku ka humbur 6-vjeçarja. Burime të besueshme në polici tregojnë se vajzat mund të kenë informacione ende të pathëna policisë dhe se hetimi mund të marrë drejtim krejt tjetër sapo të dalë në dritë një detaj që çon në gjurmët e vajzës së vogël. Në ditën e parë të publikimit të lajmit, një burim i Policisë së Kukësit, i cili u referohej dëshmive të familjarëve të së miturës së humbur, ka thënë se 6-vjeçarja shoqërohej nga disa fëmijë të tjerë, gjithashtu të vegjël. Por dje doli në dritë fakti që, me vajzën e vogël ka qenë halla e vet së bashku me katër vajza të tjera, më e vogla prej të cilave 19 vjeçe dhe më e madhja 23 vjeçe. Policia e qarkut i ka shoqëruar dje të pesë vajzat për herë të dytë brenda dy ditësh për t’i marrë në pyetje.
Telefonatat anonimeGjatë 24 orëve të fundit, babait të Bleonës i janë bërë dy thirrje telefonike me numër privat, thirrje të cilat po verifikohen nga prokuroria dhe policia. Burime të rezervuara nga prokuroria tregojnë se biseda në telefonin e Zamit Matës, babait të vajzës së humbur, ka qenë e shkurtër dhe kërcënuese. Një zë burri i ka thënë se “atë që t’i po bën, do ta vuajë vajza jote”. Tashmë telefoni i Matës po verifikohet dhe ende nuk janë zbardhur të dhënat. Burime nga fshati tregojnë se prindi në fjalë nuk ka “borxhe” ndaj askujt dhe vetë ai ka pohuar se nuk ka konflikte apo borxhe ndaj të tjerëve. Ka zëra që e klasifikojnë telefonatën si një “dobësim” të grabitësve të mundshëm, gjithnjë nëse do të jetë e grabitur dhe për këtë pistë kontrolli do të shtrihet në të gjitha zonat e banuara të afërta dhe të tjera ku mund të dyshohet se mbahet vajza e vogël.
Një telefonatë nga DragashiNjë telefonatë nga qyteza e Dragashit në Kosovë, pak kilometra përtej Zapodit, ka vënë në lëvizje Policinë e Qarkut të Kukësit lidhur me objektin e kërkimit. Ka qenë vetë Policia e Dragashit, e cila kishte gjetur në qytezë një vajzë të ngjashme të pashoqëruar, për të cilën ata kanë dyshuar se mund të ishte Bleona dhe për këtë arsye kanë njoftuar menjëherë në Policinë e Kukësit. Nëndrejtori i Policisë së Qarkut, Xhafer Elezi, tha se kishte udhëtuar personalisht në Dragash, por atje kishte verifikuar se nuk bëhej fjalë për Bleonën.
#