E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja e re e Britanisë takon Topin: “Zgjedhjet, të rëndësishme për integrimin”



Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje Ambasadoren e Jashtëzakonshme dhe Fuqiplotë të Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Fiona Mekiluam, e cila paraqiti letrat-kredenciale. Kreu i shtetit, pasi bëri një përshkrim të shkurtër të zhvillimeve më të fundit dhe situatës parazgjedhore në vend, fuqizimit të institucioneve të pavarura kushtetuese e përmbushjes së aspiratave integruese të popullit shqiptar, e siguroi ambasadoren britanike për mbështetjen e plotë si President i Republikës dhe të institucioneve shtetit shqiptar gjatë misionit të saj në Shqipëri. Ambasadorja Mekiluam, duke e siguruar se Mbretëria e Bashkuar do ta mbështesë Shqipërinë në të gjitha nismat e saj, nënvizoi se zhvillimi i mëtejshëm i marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat mes dy vendeve tona do të jetë objektivi kryesor i punës së saj në Shqipëri. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët se zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009 do të jenë një tregues mjaft i rëndësishëm për integrimin e ardhshëm të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe se është shumë e rëndësishme që ato të zgjedhje të jenë të lira dhe të ndershme e sipas standardeve perëndimore.

Topalli-Ganov: Sistemi i ri zgjedhor do të sjellë parlament më cilësor

Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi dje Avokatin e Popullit të Bullgarisë, Ganei Ganov. Në fillim të bisedës u vu theksi te rëndësia e institucionit të ri të Avokatit të Popullit dhe në rolin e rij në mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe konsolidimit të demokracisë. Kryetarja e Kuvendit tha ndër të tjera se mes parlamenteve të Shqipërisë dhe Bullgarisë, gjatë këtij mandati, ka pasur një bashkëpunim shumë pozitiv.
“Me kryetarin e Asamblesë Pirinski dhe me deputetët e Asamblesë së Bullgarisë ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira. Jam ndier e nderuar kur kam mbajtur fjalim para Parlamentit tuaj”, - tha Topalli gjatë këtij takimi. Më tej biseda u përqendrua mbi zgjedhjet parlamentare që do të zhvillohen në Shqipëri. Topalli vlerësoi se fushata zgjedhore po shënon një moment shumë të rëndësishëm për politikën shqiptare duke shënuar një intensitet të jashtëzakonshëm pune dhe takimesh. Nga ana e tij, Avokati i Popullit të Bullgarisë vlerësoi në mënyrë të veçantë sistemin parlamentar të Shqipërisë dhe përpjekjet për rritjen e përfaqësimit cilësor të deputetëve.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›