E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partia Demokratike hap në qarkun e Tiranës mbi 320 zyra elektorale



Partia Demokratike ka marrë të gjitha masat për betejën elektorale të 28 qershorit. Ajo ka përgatitur më së miri terrenin luftarak. Burimet bëjnë të ditur se vetëm në qarkun e Tiranës PD-ja ka hapur mbi 320 zyra elektorale. Kandidatët mësohet se janë financuesit kryesorë të marrjes me qira të ambienteve për zyrat elektorale. Mësohet se në një zonë elektorale të kryeqytetit janë hapur të paktën 10 zyra të tilla. Në Njësinë Bashkiake Nr. 2, ku përgjegjëse për fushatën elektorale është kandidatja Lajla Pernaska, janë hapur gjithsej 16 zyra elektorale. Ndërsa në zonën e Bllokut, në Njësinë Bashkiake Nr. 5, janë hapur 13 zyra të tilla. Në të gjithë Tiranën, por dhe në komunat përreth saj, janë hapur gjithsej mbi 320 zyra elektorale. Ato hapen që në orët e para të mëngjesit dhe qëndrojnë hapur deri në orët e vona të mbrëmjes. Kandidati për deputet i zonës zhvillon të gjithë aktivitetin zgjedhor në këtë zyrë për 30 ditët në vijim. Takon banorë të zonës, organizon takime me simpatizantët apo me grupin e punës me të cilin organizon fushatën elektorale.
Ndërkaq, edhe kryetari i ri i PD-së së Tiranës, Aldo Bumçi, duket se ka nisur të tregojë “dhëmbët”. Mësohet se Bumçi ka marrë në duar “litarët” e fushatës në kryeqytet. Gjatë së enjtes në mbrëmje, në të njëjtën kohë kur PS-ja çeli zyrtarisht fushatën zgjedhore në Qytetin Studenti, Bumçi ka mbledhur në selinë blu të gjithë kandidatët për deputetë të Tiranës. Gjatë një mbledhjeje disaorëshe mësohet se Bumçi ka dhënë direktivat për organizimin e punës në mënyrë që çdo territor i kryeqytetit të jetë në vëmendjen e kandidatëve. Mësohet se ai i ka “urdhëruar” kandidatët për pjesëmarrje serioze të fushatën elektorale dhe për angazhim serioz, pavarësisht pozicionit që kanë në listë, pasi edhe ata që janë nga fundi, në rast fitoreje, do të shpërblehen me të tjera poste.

30 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›