Ambasadorja e re e Francës viziton Shkodrën

Ambasadorja e re e Francës takim në Shkodër
Ambasadorja e re e Francës në Tiranë, Christinë Moro, ka vizituar sot qytetin e Shkodrës, ku krahas takimeve me drejtuesit vendorë, ka pasur edhe takime të tjera në kuadrin e aktiviteteve të organizuara nga shoqata e miqësisë Shqipëri-Francë.
Pas takimit me Kryetarin e Bashkisë së Shkodrës, Lorenc Luka, ajo shprehu kënaqësinë që ishte në Shkodër, ku së bashku me bashkëshortin e saj, do të kishte mundësinë që të zbulojnë vlerat e këtij qyteti, të takonte banore dhe autoritetet lokale, duke diskutuar për projektet e mundshme dypalëshe.
Në takimet e organizuara në Bashki dhe Prefekturë, drejtuesit e këtyre institucioneve, Lorenc Luka dhe Voltana Ademi, e njohën atë me punën e deritanishme të institucioneve vendore, si dhe me projektet dhe prioritetet për të ardhmen. Ambasadorja franceze u informua për potencialin që ka Shkodra, si dhe planin që ka Bashkia për zhvillimin e qytetit, për krijimin e kushteve të favorshme për investimet e huaja, për ruajtjen dhe rikonstruksionin e zonave turistike etj, si dhe në përgjithësi në shkallë qarku, kur dihet se rajoni verior disponon vlera të mëdha, sidomos ato të turizmit malor. /E.L/