Ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper: Hetimet e 21 janarit, prokuroria të veprojë me paanshmëri

Ambasadorja e Gjermanisë në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper u shpreh dje gjatë një interviste për Deutsche Welle (DW) se hetimet për 21 janarin duhet të zhvillohen jashtë ndikimit politik. Deklarata e ambasadores Holtkemper vjen në një kohë kur prokuroria ka zvarritur hetimet, ndërsa në vit pas ngjarjes ka kërkuar hetimin e 3 deputetëve të PS, të dyshuar si organizatorë të demonstratës së dhunshme. “Organi kompetent për hetimet është Prokuroria e Përgjithshme, dhe mbështetur në parimet e shtetit ligjor hetimi duhet të jetë i pandikuar politikisht”, u shpreh ambasadorja gjermane. Për diplomaten gjermane hetimet duhet të vazhdojnë. “Në rastin e ngjarjeve të 21 janarit bëhet fjalë për procese komplekse, të cilat pjesërisht duhet të vazhdojnë të hetohen ende apo për sqarimin e të cilave është marrë edhe ekspertizë teknike e huaj”, tha ajo. Sipas saj, Shqipëria duhet të dëshmojë funksionimin e shtetit ligjor, si kuadri më i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian. “Ndërtimi i shtetit ligjor është kriteri më i rëndësishëm në kuadrin e procesit të integrimit evropian. Në këtë kuptim strategjia e integrimit për të gjitha shtetet kandidate për anëtarësim u përshtat në atë mënyrë, që puna të niste pikërisht me këta kapituj. Por përtej rëndësisë që ka për procesin e integrimit shteti ligjor i shërben bashkëjetesës harmonike të një shoqërie, bashkëpunimit efektiv dhe zhvillimit ekonomik”, deklaroi më tej ambasadorja gjermane në Tiranë, Carola Müller-Holtkemper.
...