E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga viti 2006 në vitin 2011, Shqipëria ka trefishuar eksportet

31-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha theksoi se modeli ekonomik i bazuar në transparencë dhe klimë miqësore ndaj biznesit, bëri të mundur që Shqipëria, nga 2006 deri në 2011, të trefishojë eksportet. Sipas kryeministrit, falë rritjes së eksporteve u rritën edhe të ardhurat buxhetore, ndërsa nga ky volum të ardhurash u rritën rrogat dhe pensionet për disa vite me radhë. “Shqipëria eksporton lumenj djerse, eksporton prodhim. Statistika tregon se, vetëm 60 për qind e bizneseve në Shqipëri janë biznese të vogla, shërbime. Në vende të tjera janë 70-80 për qind të tillë. Pra, një vend i cili nuk ka shpallur si orientim themelor të ekonomisë së tij eksportin, pasi ne nuk e kemi bërë këtë, mund të shpallet dhe ka praktika botërore në ato që quhen ekonomi të drejtuara nga eksportet, pra, pa qenë e tillë, ekonomia shqiptare ka trefishuar eksportet nga viti 2006, i ka dyfishuar nga 2009, ka dyfishuar prodhimin nga viti 2009 dhe ka trefishuar prodhimin nga 2006. Eksporti i shërbimeve shqiptare është shumë i vogël. Pra, ne eksportojmë prodhim. Specifike është se ky model bëri të mundur një rritje të jashtëzakonshme të të ardhurave buxhetore, të cilat më parë, një pjesë e madhe e tyre përfundonin në galeritë e korrupsionit, bëri të mundur, si në asnjë vend tjetër, të mbi dyfishohen rrogat e pensionet”, tha Berisha. Kryeministri analizoi shkaqet e krizës ekonomike në botë, duke theksuar se mungesa e reformave sa i takon liberalizimit të lejeve dhe licencave, solli edhe kolapsin më të madh ekonomik që bota ka njohur ndonjëherë. “Por, në rast se ju e ndiqni dhe, sigurish që e ndiqni, krizën e sotme evropiane e botërore, kjo krizë, në themelin e vërtetë të saj, ka mungesën e reformave me të cilat ekonomitë e vendeve të lira duhej të përshtateshin me globalizmin, zhvillimi më madhor i 20 viteve të fundit. Pra, kriza ka disa aspekte, ka euron, ka borxhet, filloi me kreditë për shtëpitë, etj, por në themel ka kompetivitetin që erdhi si rezultat i mospërshtatjes me një botë që po ndryshonte më shpejtësi të madhe. Mjafton të theksojmë këtu se 75 për qind i investimeve  të huaja në botë janë në Azi, në ato që quhen tregjet në rritje, janë në Kinë, Brazil, Indi, etj. Po të analizoni se çfarë rezulton, do të vini re se qeveritë sot në Evropë po lëvizin drejt liberalizimit, masa që ne i ndërmorëm kohë më parë, liberalizimin e lejeve, licencave, standarde të reja. Unë ju garantoj se kjo frymë është fryma e vetme që do nxjerrë nga kriza këto vende. Fatmirësisht, është konstatuar qartësisht se problem më madhor është kompetiviteti. Kompetiviteti është nocion që ka të bëjë më shumë se çdo gjë tjetër me cilësinë e funksionimit të një ekonomie”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas tij, Shqipëria ka përmirësuar në mënyrë progresive treguesin e tij dhe po bën gjithçka për ta përmirësuar më tej, Shqipëria le, jo një, por disa vende të BE-së pas, në rrafshin e lirisë ekonomike. “U ndala në këtë moment për faktin se statistika e para dy ditëve se 50 për qind të bizneseve aktive të këtij vendi janë të 4 vjeçarit të mandatit tonë të parë, është dëshmia më e shkëlqyer e suksesit të këtij modeli ekonomik. Edhe njëherë, dua të sqaroj këtu se, në rast se 60 për qind e këtyre janë biznes i vogël, në vende të tjera kjo shifër është 70-80 për qind. Në vendet më të zhvilluara të botës, biznesi i vogël është gjenerator i ekonomisë. Por ajo që spikat në ekonominë shqiptare është fakti që ajo është ekonomi e mundit e djersës, sepse të dyfishosh eksportet, në një hark kohor 2 vjeçar, në një vend që ka një eksport minimal shërbimesh, për të mos thënë in-ekzistent, pra do të thotë që është një ekonomie thellësisht e orientuar drejt prodhimit, do të thotë se ky model që ne kemi vendosur është modeli që mbështet në mënyrën më të fuqishme prodhimin. Nuk mund të ishte ndryshe dhe nuk mund të ndodhte kurrë që të dyfishohen eksportet në dy vjet, në asnjë vend tjetër, përveç ndonjërit që ka pasur rezerva kolosale gazi ose nafte. Sot ka diskutime të shumta dhe kudo, gjëja më normale është diskutimi për ekonominë sepse të gjitha kronikat, të gjitha lajmet e agjencive të mëdha, janë të mbushura çdo ditë me lajme mbi zhvillimet ekonomike në rajon, Evropë dhe botë. Kështu që kjo është koha në të cilën qytetarët, kudo, po bëhen më ekonomistë se kurrë, sepse po përballen me pasojat e një krize që do të jetë më shumë se afatmesme, e një krize që ka prekur thellë prodhimin, që ka prekur thellë rrogat e tyre, pensionet, e një krize që po shkatërron me shpejtësi të madhe miliona e miliona vende të lira. Ndaj dhe nuk ka dhe nuk mund të ketë diskutime më të rëndësishme se ato për ekonominë në këtë kohë”, tha ai. Kryeministri theksoi gjithashtu se Shqipëria është ndër të paktit vende në Evropë që boton on-line të gjitha shpenzimet e institucioneve. Sipas Berishës, transparenca do mbizotërojë në çdo qelizë të administratës shtetërore. “Ky vend është ndër më të paktit në Evropë që, për shkak të vullnetit te hekurt për transparencë, ia doli të plotësojë një nga objektivat më kryesor të partneritetit për qeverisje të hapur; botimet on-line të të gjitha shpenzimeve që bëhen në këtë shtet, një ditë më parë. Dhjetëra e dhjetëra vende të tjera kanë pasur mundësinë ta bëjnë këtë gjë. Ne kemi teknologjinë, por patëm edhe vullnetin për ta bërë dhe ndaj e realizuam. Ne do të bëjmë gjithçka që rrezja e dritës, rrezja e diellit të transparencës, të penetrojë në çdo skutë, në çdo qelizë të administratës së këtij shteti”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›