E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Modeli ekonomik garantoi rritje ekonomike edhe në kohë krize”

31-01-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha takon një delegacion të komisionit të jashtëm të Asamblesë së Madhe të Turqisë


“Me reformat e saj ekonomike, qeveria shqiptare dëshmoi se edhe në kohë krize globale, bazuar në modele të drejta ekonomike, vende si Shqipëria arrijnë të shënojnë rritje pozitive dhe të mos preken drejtpërsëdrejti nga ajo”. Kështu u shpreh dje kryeministri Sali Berisha në një takim me kreun e delegacionit të Komisionit të Jashtëm të Asamblesë së Madhe të Turqisë, Volkan Bozkir. Bozkir dhe deputetët e tjerë vlerësuan arritjet e jashtëzakonshme të qeverisë shqiptare gjatë kësaj periudhe, si anëtarësimi në NATO dhe heqja e vizave për qytetarët shqiptarë për të udhëtuar në BE. Në takim u vlerësua marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve si dhe bashkëpunimi i gjithanshëm dhe i suksesshëm midis të dy qeverive dhe në veçanti i sektorit privat dhe u rikonfirmua vullneti i palëkundur i tyre për t’i zgjeruar edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat në interes të ndërsjellë. Në këtë kontekst u vlerësuan arritjet e rëndësishme të këtij bashkëpunimi në fusha si ajo e arsimit, tregtisë, bashkëpunimit, në kuadër të Aleancës së Atlantikut të Veriut apo ndërtimit të infrastrukturave madhore, si Rruga e Kombit Durrës-Morinë, ku u vlerësua se bashkëpunimi i firmës BECHTEL me kompaninë turke ENKA, realizoi një ndër rrugët më të mira të ndërtuara ndonjëherë në rajonin tonë. Gjithashtu, fusha si ajo e prodhimit të energjisë së rinovueshme hidrike, eolike dhe diellore, sektori i turizmit, sektori i bujqësisë, në veçanti me dy projektet madhorë të qeverisë shqiptare, ai i ullirit dhe arroreve, u vlerësuan si sektorë të rëndësishëm potencial për zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen. Kryetari Bozkir i përcolli Kryeministrit Berisha përshëndetjet më të përzemërta të kryeministrit turk Erdogan, si dhe të zyrtarëve më të lartë të shtetit dhe të qeverisë turke. Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera tradicionale miqësore mes dy kombeve, vendeve dhe qeverive, si dhe vizitën e tyre si një kontribut tjetër të rëndësishëm në konsolidimin e këtyre marrëdhënieve.


Haxhinasto, Bozkir: Turqia, partner strategjik i Shqipërisë/Zv/kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto priti dje në një takim delegacionin e Komisionit të Jashtëm të Asamblesë së Madhe të Turqisë, të kryesuar nga Ambasadori, Volkan Bozkir, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare, në vendin tonë. Gjatë takimit, Haxhinasto vlerësoi se marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve kanë njohur zhvillime të rëndësishme në aspektin politik, ekonomik dhe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ai nënvizoi faktin se, Turqia është një partner i rëndësishëm strategjik i Shqipërisë, në rajon dhe më gjerë dhe në këtë kontekst vlerësoi kontributin e saj në njohjen dhe konsolidimin e shtetit të ri të Kosovës. Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i ngushtë parlamentar dhe u shpreh besimi se ai do të shtrihet edhe në nivelet e komisioneve të tjera parlamentare. Parlamentarët turq vlerësuan rolin konstruktiv të Shqipërisë si faktor i paqes dhe stabilitetit në rajonin tonë e përtej tij, si dhe bashkëpunimin në kuadrin e NATO-s. Të dy palët nënvizuan nevojën e zhvillimit të mëtejshëm të bashkëpunimit në fushën e turizmit, bujqësisë, energjisë, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›