Gjatë vitit 2012 privatizohet “Albpetrol” dhe 5 HEC-e të vegjël

Njëkohësisht, kreu i ekzekutivit u ndal dhe në një moment tjetër të zhvillimeve ekonomike, e konkretisht në atë të privatizimeve. “Ne do të bëjmë gjithçka që të finalizojmë procesin e privatizimit. Ne sot jemi vendi më privat dhe nuk ka vend tjetër të dytë privat sa Shqipëria. Por prapë ne kemi për të privatizuar. Sot, siç e shihni, një nga kërkesat më kryesore ndaj vendeve që përfliten në krizë, është privatizimi, sepse ai është kushti më themelor për të rritur kompetivitetin, sepse natyrisht, privati është ai që do të bëjë gjithçka për të përballuar garën, sepse nuk ka krahun e shtetit për ta mbështetur, ashtu siç shteti mbështet sektorin publik. Ndaj dhe ne do të ecim me shpejtësi drejt privatizimit të plotë. Në një grup pune me ministrin e Ekonomisë dhe përfaqësues të Ministrisë së Bujqësisë, kërkova që të ndërmarrim privatizimin me të thellë të pyjeve. Kjo sepse pyjet duhet të bëhen ‘me zot’, për të vendosur një drejtim të ri në rritjen, mbarështimin dhe zhvillimin e tyre. Grupet e punës do të shkojnë të studiojnë vendet me eksperiencën më të mirë në privatizimin e pyjeve. Ne do të vendosim atë model, në mënyrë që të rikthejmë fuqishëm zhvillimin e këtij sektori në Shqipëri. Pyje dhe shkurre, Shqipëria ka rreth 1.6 milionë hektar, nga të cilat rreth 600 mijë janë shkurre që do të përdoren gjerësisht për arrorë, në shkallën më të gjerë. Pyjet do të rikthehen në aktivitetin e tyre. Ky vend është vend i biodiversitetit, i drurëve më të shumëllojtë, ndaj dhe ne do të ecim drejt këtij procesi”, tha Berisha. Gjithashtu, kryeministri Berisha bëri me dije se “do të privatizohen, Albpetroli, si dhe 5 hidrocentrale të vogla”. “Sikundër, do të privatizohet këtë vit Alpetroli, 4 apo 5 hidrocentralet e vogla dhe do të ecet gjithnjë e më tej, duke e thelluar këtë proces. Fatmirësisht, gjendja ekonomike, funksionimi i ekonomisë krijon premisa për t’i bërë këto procese të suksesshme, sepse ju e dini, ka vende të tjera ku nuk shitet gjë, për shkak të kompleksitetit, zymtësisë që është krijuar. Pra, u ndala edhe njëherë tek modeli ekonomik, i cili i garantoi këto suksese vendit, por që ‘sharlatanë të vërtetë’, në këtë fushë e sulmojnë, pa asnjë argument, çdo ditë. Megjithatë, ne do të vazhdojmë ta konsolidojmë këtë model”, tha më tej kryeministri Berisha.
...