Edi Rama të gjithëve ua ka me hile, përveç vetes së vet

Partitë e vogla të opozitës këmbëngulin në korrektimin kombëtar të sistemit aktual proporcional rajonal, në kuadër të procesit të reformës zgjedhore. Pak ditë pasi komisioni i posaçëm miratoi me konsensus amendimet e para në ligjin zgjedhor, që lidhen me financimin e partive në zgjedhje, kryetari i PS-së, Edi Rama, mblodhi mesditën e djeshme përfaqësues të partive të majta për të diskutuar mbi reformën zgjedhore. Pas takimit të mbyllur, kryetari i Partisë Demokracia Sociale (PDS), Paskal Milo, tha për mediat se u evidentua një kohezion i plotë i qëndrimeve të partive opozitare ndaj diskutimeve të deritanishme në komisionin e reformës. “Ne sot morëm një tjetër garanci se PS do të qëndrojë fort në mbështetje të kërkesës së partive të vogla që shprehen në mbrojtje të korrektimit kombëtar, të sistemit aktual proporcional rajonal”, u shpreh Milo. Në këtë kuadër ai i bëri thirrje partive të vogla të spektrit të djathtë që të ushtrojnë presionin e duhur tek Partia Demokratike që reforma zgjedhore të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme. Nisur nga fakti që korrektimi i sistemit zgjedhor nuk bën pjesë në rekomandimet e ndërkombëtarëve, kryetari i PDS-së tha se OSBE/ODIHR nuk mund të merret me gjithë elementët e një reforme zgjedhore. Në këtë takim informal ishin të pranishëm të gjitha partitë pjesë e opozitës së bashkuar, me përjashtim të kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule i cili ose ka kuptuar pa-rëndësinë e këtyre palo-takimeve, ose po mendon seriozisht për një rishikim të aleancës politike me Edi Ramën. Të dytën e konfirmon edhe më shumë fakti që Rama thjesht i gënjen dhe mashtron aleatët, pasi nën dorë ka një projekt tjetër sa i takon reformës zgjedhore. Kuptohet që ai nuk është i interesuar për korrektimin e sistemit dhe kjo për arsye të ndryshme. E para lidhet kryekëput me dyshimet e Ramës se jo vetëm proporcionali-rajonal e nxjerr humbës, por edhe ai i korrektuar ‘kombëtar’ i faturon të njëjtin fat politik. Dhe e dyta, pas largimit të Kastriot Islamit, Edi Rama s’i zë besë askujt në PS, i frikësuar nga komplotet imagjinare kundër tij. Ndaj, “premtimi” i Ramës për të vegjlit, se do insistojë për korrektimin e sistemit, është gënjeshtër e madhe, por njëherazi një tjetër tregues pabesie që eksporton karakteri i lidershipit të PS në dy kohë të ndryshme si në 2009-ën ashtu edhe në 2013-ën.
...