E Diel, 1 Nëntor 2026

Verifikimi i fakteve - Kreshnik Spahiu ka devijuar nga detyra kushtetuese

31-01-2012 / Gazeta 55

Shkarkimi i nënkryetarit të KLD-së, komisioni hetimor parlamentar nis punën

Konstituohet komisioni hetimor për shkarkimin e zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu. Kryetari i komisionit, Enkelejd Alibeaj sqaroi dje në mbledhjen e parë të komisionit se “nuk kemi të bëjmë me një veprimtari kundër një individi, por me verifikimin e fakteve të cilat grupi i deputetëve firmosës i ka parë si indice të mjaftueshme se Spahiu ka devijuar nga detyra e tij kushtetuese si i zgjedhuri i Kuvendit në organin më të lartë të drejtësisë”. Komisioni hetimor brenda një afati 3-javor do të mbledhë fakte për argumentet e deputetëve të PD-së, duke verifikuar të dhënat, faktet dhe rrethanat për aktet që diskreditojnë rëndë figurën dhe postin e lartë kushtetues të zëvendëskryetarit të KLD-së, të cilat edhe përbëjnë shkak ligjor për shkarkimin nga detyra. Deputeti i PD-së, Alibeaj kryetar i komisionit hetimor për shkarkimin e Kreshnik Spahiut, i bëri thirrje opozitës që të bëhet pjesë e komisionit. “Komisioni nuk ka për qëllim t’i kundër drejtohet individit apo veprimtarisë së tij, por ka për qëllim thjesht dhe vetëm të verifikojë ekzistencën e fakteve dhe rrethanave të fokusuara në atë çfarë ka përbërë dhe motivimin e kërkesës së paraqitur nga grupi i deputetëve. Opozita të marrë përgjegjësinë e vet politike, për të marrë pjesë në këtë komision, të caktojë anëtarësinë e vet”, tha kryetari i këtij komision, Enkelejd Alibeaj.
I përbërë vetëm nga deputetët e mazhorancës, pas refuzimit të opozitës për t’u bërë pjesë e tij, komisioni ftoi Kreshnik Spahiun të caktojë datën për të paraqitur qëndrimet e tij. Ndonëse ky i fundit, pati deklaruar publikisht mosnjohjen e kësaj strukture, komisioni i ka paraprirë justifikimeve të mundshme të Kreshnik Spahiut për të mos u paraqitur në komision, duke ia lënë atij në dorë kohën kur do të dëshirojë të japë qëndrimin e tij tashmë jo vetëm procedural, por dhe parimor në dy javët e ardhshme të punës së komisionit. “Për periudhën e dy javëve në vazhdim, të përcaktojë ai vetë kohën, ditën se kur do të jetë i mundshëm për të na nderuar në komisionin përkatës, për të dëgjuar mendimin e tij në lidhje me propozimin që përmban vendimi i Kuvendit për ngritjen e komisionit dhe për çështje të tjera të fokusuara në veprimtarinë e komisionit”, tha kryetari i komisionit hetimor, Enkelejd Alibeaj.
Puna e komisionit përfundon pas votimit në Kuvend të raportit për shkarkimin e nënkryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Alibeaj dhe anëtarët e komisionit shprehën garanci se puna e tyre në komisionin hetimor do të bazohet në ligj dhe Kushtetutë e jo në emocione politike. Ndërkaq, deputetja Paulina Hoti u caktua sekretare e komisionit, ndërsa mbledhja e radhës do zhvillohet të mërkurën në 1 shkurt.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›