Ministria e Jashtme: Pasaportat jugosllave, të vlefshme deri në fund të vitit
TIRANË - Serbia e ka njoftuar zyrtarisht Shqipërinë se pasaportat jugosllave do të jenë të vlefshme deri në fund të vitit 2011. Zëvendësministrja e Jashtme, Edit Harxhi, konfirmoi për BBC-në se Ambasada e Serbisë në Tiranë e ka njoftuar zyrtarisht palën shqiptare për këtë vendim. Më parë Serbia kishte njoftuar se këto pasaporta kishin dalë jashtë përdorimit. Për këtë arsye, rreth 100 qytetarë nga Kosova, mbajtës të këtyre pasaportave, u ndaluan pak ditë më parë në Portin e Durrësit që të kalonin kufirin drejt Italisë. Harxhi tha se vendimi i ri i palës serbe ka hyrë në zbatim që nga dita e martë, duke hequr pengesën për qytetarët nga Kosova dhe nga Serbia, mbajtës të pasaportave jugosllave. Të hënën reagoi për gazetën i ngarkuari me punë në misionin diplomatik të Prishtinës në Tiranë, Gani Veseli, i cili tha se po bisedohet me autoritetet shqiptare dhe pritet zbardhja e vendimit që ka lëshuar qeveria e Beogradit për vlefshmërinë e dokumenteve të vjetra të identitetit.
Serbia, por edhe Kosova kanë në qarkullim dokumente të reja të identifikimit, pas ndryshimeve të fundit gjeopolitike në rajon. Ditët e para të vitit kanë shënuar rritje të kalimeve të kufirit nga emigrantët, në disa raste dhe radhë të gjata, sidomos në Portin e Durrësit, ku në dy ditë shënohen 10 mijë dalje të emigrantëve. Shtim të fluksit të kalimeve ka dhe në pikat kufitare me Greqinë
Mafiozi i “Sacra Corona Unita”, ekstradim “sekret” në Itali
Policia e Shtetit bëri ekstradimin e Albino Prudentinos në Romë
Prudentino u soll nga Vlora në Tiranë nën masa të rrepta sigurie
VLORË – Përfundon aventura shqiptare e të njohurit si një ndër krerët e organizatës mafioze "Sacra Corona Unita", Albino Prudentino. Ai është ekstraduar mëngjesin e së martës për në Itali. Nën masa të rrepta sigurie, i shoqëruar nga forcat RENEA, italiani 59-vjeçar është dërguar në orën 06:00 të mëngjesit në Aeroportin e Rinasit. Operacioni i ekstradimit të tij është bërë në sekret dhe pa dijeninë e forcave të policisë. Ai është kryer nga forcat e Policisë së Burgjeve dhe agjentët e Interpolit. Ekstradimi i tij u vendos nga Gjykata e Apelit të Vlorës, pas kërkesës së bërë nga kolegët e Leçes në Itali. Ai akuzohet në shtetin fqinj për drejtim organizate kriminale dhe akuza të tjera. Siç mësohet, Prudentino është sjellë në Tiranë nga paraburgimi i Vlorës disa orë para se ai të merrte avionin e Alitalias dhe të zbriste në vendin e tij, ku do të përballet me akuzat e ngritura.
Ekstradimi sekret
I akuzuar për organizim kriminal të tipit mafioz, Prudentino është përcjellë një ditë drejt Italisë. Lajmi bëhet me dije nga burime zyrtare të Policisë së Shtetit. Sipas burimeve, Prudentino ka lënë qelinë e paraburgimit të Vlorës dy ditë më parë. Rreth orës 18:30 ai ka qenë me grupin e shoqërimit nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, të cilët e kanë përcjellë drejt qelisë së Burgut 313 për ta kaluar aty natën. Burimet bëjnë me dije se nisja drejt Italisë ishte parashikuar rreth orëve të mesditës së djeshme, por për efekte sigurie nisja është bërë disa orë para kohës që ishte parashikuar. Nuk dihet ende arsyeja që ka bërë policinë të ndryshojë orën, por burimet thanë se gjithçka është bërë për shkaqe sigurie, për të shmangur ndonjë të papritur gjatë transportimit për në Rinas. Ai është pritur në aeroport dhe nga agjentët e Interpol Romës, të cilët e kanë marrë në dorëzim të shumëkërkuarin. Siç është mësuar nga media italiane, Prudentino ka zbritur në Aeroportin e Fiumiçinos në orën 07:30 nga fluturimi me numrin AZ507, i Alitalias.
Arrestimi i Prudentinos
Anëtari i “Sacra Corona Unita” u arrestua më 29 shtator në një nga lokalet në pronësi të tij në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, ku qëndronte në Shqipëri prej disa kohësh dhe dispononte pasuri të paluajtshme, si: lokale, shtëpi dhe kazino, ndërsa që nga ajo kohë vazhdon të qëndrojë në paraburgim, në pritje të një vendimi. Ai u prangos me urdhër të lëshuar nga Gjykata e Leçes në Itali për akuzat: "bashkëpunim kriminal i tipit mafioz", "trafik droge" dhe "grabitje në rrethana rënduese", vepra të parashikuara nga Kodi Penal italian, të cilat, nëse vërtetohen, e dënojnë Prudentinon me më shumë se 25 vjet burg. I shumëkërkuari nga Drejtësia italiane kishte një kartelë problematike në vendin e tij të lindjes dhe akuzohej për një sërë aktivitetesh ilegale jo vetëm në Itali, por edhe në Greqi. Në Shqipëri Prudentino e zgjeroi aktivitetin e tij në fushën e biznesit, lotarive sportive, komplekseve të shërbimit, si restorante, ndërtim, etj. Ai kishte ndërtuar lidhje të fuqishme me persona me ndikim në politik dhe arrestimi në Vlorë solli akuza të ashpra mes maxhorancës dhe opozitës për lidhje të personave pranë qeverisë me klanet mafioze italiane.
Alarmi fals për bombë në traget, prangoset 41-vjeçari
DURRËS – Një lojë “terroriste” për vendosjen e një bombe në traget i ka kushtuar prangosjen 41-vjeçarit nga Elbasani. Policia e Durrësit arrestoi dje rreth orës 14:00, Besnik Balliun, pasi u vërtetua se mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:52, nga një numër telefonik i regjistruar në emër të tij, është kryer një telefonatë në numrin e gatshëm të Shërbimit Zjarrfikës, 128, ku telefonuesi ka deklaruar se do të vendosë bombë në një nga tragetet e ankoruara në Portin Detar Durrës, me destinacion Italinë. Pas telefonatës false, u ndërmor një kontroll i imtësishëm në pasagjerët, automjetet dhe ambientet e trageteve të ankoruara, duke çuar kështu në disa raste edhe në vonesa për imbarkimin dhe shqetësim te udhëtarët.
“Nga verifikimet e kryera rezulton e disata herë që nga numra telefonikë të regjistruar në emër të Balliut kryhen telefonata në numrat e gatshëm të Policisë apo Shërbimit Zjarrfikës, me objekt kërcënimin për vendosje lëndësh plasëse”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së qarkut Durrës. Sipas tij, u kryen veprimet e para hetimore dhe materialet për veprat penale të përhapjes së informatave të rreme që ngjallin panik, njoftim të rremë në organet e rendit dhe përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike iu kaluan për ndjekje Prokurorisë së Durrësit”. Burimet policore u kërkojnë qytetarëve më tepër përgjegjshmëri në drejtim të përdorimit të numrave të gatshëm të vendosur në dispozicion të publikut dhe situatave emergjente. “Strukturat e Policisë do të jenë të detyruara të procedojnë me ndjekje penale personat përgjegjës që duke kryer telefonata të rreme, jo vetëm vendosin në gatishmëri shërbimet e Policisë, por panikojnë edhe publikun me informacionet e përcjella”, - thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë së qytetit bregdetar.
Zjarri në banesë, foshnja përfundon në spital
FIER – Një fëmijë një vjeç e gjysmë pësoi plagë në trup dje pas zjarrit të rënë në një banesë në Cakran të Fierit. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të policisë lokale, të cilat thanë se fëmija me iniciale A. Merdanaj mori plagë të lehta si pasojë e zjarrit që përfshinë banesën. Foshnja është dërguar në spital për ndihmë mjekësore, pasi prindërit nuk ndodheshin në banesën që u përfshi nga zjarri. Mjekët thanë se gjendja e fëmijës është e rëndë, ndërkohë që policia po heton shkaqet e ngjarjes.
Pak ditë më parë në Vlorë gjetën vdekjen dy fëmijë, si pasojë e zjarrit të rënë në banesë, ndërsa më 11 nëntor të vitit të kaluar humbën jetën katër fëmijë të familjes Xheka në Sukth të Durrësit, për shkak të asfiksisë së shkaktuar nga djegia e televizorit.
Arrestohet autori i grabitjes së bankës në kryeqytet
TIRANË – Autori i grabitjes së filialit të një banke në Tiranë u arrestua dje nga Policia e kryeqytetit rreth një vit pas krimit. Burime zyrtare të Policisë thanë se kanë vënë në pranga shtetasin Admir Zyko, 22 vjeç, i akuzuar për grabitjen e filialit të BKT-së në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Grabitja ka ndodhur më 17 shkurt të vitit 2010 në filialin e bankës “BKT”, në rrugën “Myslym Shyri”, ku 22-vjeçari u fut në ambientet e bankës i armatosur e me maskë dhe nën kërcënimin e armës arriti të grabisë një shumë parash dhe më pas të largohet. Policia ka pohuar se shuma e parave të vjedhura ka qenë 5 milionë lekë të vjetër. Pas arrestimit të autorit të ngjarjes, policia ia kaloi çështjen prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Prindërit kërkojnë ndihmën e policisë, u rrahën nga djali
KORÇË – Dy prindër të moshuar kanë bërë padi në Gjykatën e Korçës duke kërkuar mbrojtje fizike nga policia prej djalit të tyre që i dhunonte. Burime zyrtare të policisë kanë pohuar se kanë plotësuar kërkesë–padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes për shtetasit, M. Hoxha, 59 vjeç, banues në fshatin Kapshticë dhe bashkëshorten e tij, D. Hoxha. Dy personat që kanë kërkuar mbrojtje janë bashkëshortë mes tyre. Ata i janë drejtuar policisë, pasi djali i tyre, Dritan Hoxha, 30 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të vazhdueshme. Pas padisë së prindërve, dosja për këtë çështje i kaloi Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.
12 Janar 2011