E Diel, 1 Nëntor 2026

Ambasadorja gjermane: Po ndjekim nga afër zgjedhjen e presidentit. Statusi? Ka ende shumë punë

Share

Flet për radion Deutsche Welle ambasadorja gjermane, Carola Müller Holtkemper

Znj. ambasadore si e shihni situatën aktuale politike në Shqipëri?

Që prej nëntorit të kaluar dy partitë kryesore kanë filluar të bashkëpunojnë dhe kjo përbën një zhvillim pozitiv në situatën politike. Në sajë të këtij bashkëpunimi është shënuar progres i mirë në disa fusha: në zgjedhjen e Avokatit të Popullit, në miratimin e ligjeve që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Dhe pikërisht javën e kaluar, kur në Tiranë erdhi Komisioneri i Zgjerimit, Stefan Fuele, Parlamenti miratoi me 122 vota ndër 140 deputetët e Parlamentit, ligjin për Gjykatën Administrative, ligj i bllokuar për një kohë të gjatë. Gjithsesi mbeten ende çështje të hapura, si reforma e Kodit zgjedhor dhe rregullat e procedurave të Parlamentit.

Komisioneri për Zgjerimin e BE, Stefan Fuele, në vizitën që ju përmendni, vlerësoi ndryshimin pozitiv të klimës politike në vend edhe si një parakusht për plotësimin e 12 rekomandimeve të BE ndaj Shqipërisë për të merituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Ku është Shqipëria në plotësimin e tyre, tetori nuk është larg kur KE do të analizojë në raportin e radhës nëse këto prioritete janë plotësuar ose jo?

Prioritetet më të rëndësishme burojnë nga kriteret e Kopenhagës. Është e rëndësishme të theksohet që këto kritere duhet të plotësohen nga çdo vend që dëshiron të hyjë në BE. Gjatë pak muajve të fundit Shqipëria ka shënuar progres në plotësimin e disa prej rekomandimeve kryesore. Megjithatë ka ende punë për të bërë në disa fusha të rëndësishme. Dua të them në zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe forcimin e sistemit gjyqësor.

Znj. ambasadore veç progresit në këto fusha ka edhe një kriter apo rekomandim shtesë të BE: zgjedhja e një Presidenti konsensual, të pranuar nga palët. A mendoni se në këtë pikë BE mund të japë një lloj ultimatumi si p.sh. ose një president konsensual, ose nuk ka status për anëtarësim?

Kur ju pyesni për zgjedhjen e Presidentit këtë nuk e shoh si një kriter të shtuar. E shoh më tepër në kontekstin e dialogut politik, funksionimit të institucioneve dhe funksionimit normal të Kuvendit. Kushtetuta e Shqipërisë tregon një preferencë të qartë për një President mbi partitë politike. Neni 86 i Kushtetutës përcakton që Presidenti duhet të përfaqësojë unitetin e popullit. Natyrisht, komunitetit ndërkombëtar po vëzhgon nga shumë afër sesi do të zgjidhet Presidenti nga Parlamenti.

A ka gjasa që Shqipëria të ndjekë mënyrën sesi u zgjodh në mars të këtij viti Presidenti gjerman Joachim Gauck?

Situatat janë të ndryshme. Presidenti Christian Wulff dha dorëheqjen të premten në mëngjes, kancelarja Merkel menjëherë komunikoi me opozitën dhe i bëri asaj të ditur se preferonte një kandidat konsensual. Të dielën Presidenti konsensual Joachim Gauck jepte një konferencë shtypiMegjithatë mendoj se edhe Shqipëria do të jetë e aftë të gjejë zgjidhjen e duhur.

Znj. Ambasadore a ka zhvillime të reja lidhur me zhbllokimin e situatës mes bankës gjermane KfW dhe qeverisë së Tiranës, për mosmarrëveshjet lidhur me kompaninë fituese të tenderit ndërkombëtar për ndërtimin e linjës së transmetimit të energjisë Shqipëri – Kosovë?

Për ne çështja është në proces. Jemi në lidhje të ngushtë me të gjitha palët: kompaninë shqiptare të transmetimit të energjisë, atë kosovare, qeverinë shqiptare dhe bankën gjermane KfW, që financon projektin. Po vazhdojmë konsultimet për të gjetur një zgjidhje dhe zhbllokuar situatën.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›