Arvizu: Presidenti të zgjidhet me 84 vota që në raundin e parë
Një thënie e ambasadorit amerikan, Arvizu, në intervistën e djeshme në Vizion Plus se emrat e përfolur fillimisht nuk zgjidhen president, ka shkaktuar shumë debat sot
Ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, vizitoi selinë rozë, ku u takua me kreun e PS, Edi Rama. Pas vizitës, ai tha se takimi ishte fokusuar vetëm tek çështja e presidentit. Ambasadori tha se do ishte mirë që të zgjidhej presidenti që në raundin e parë, dmth me 84 vota.
Nuk jemi fokusuar në emra specifikë, por jemi më shumë të interesuar për konsultimet me palët, diskutimet që shtrohen në tryezë dhe shpresojmë se do të kemi një bazë të përbashkët në këtë proces, pasi bëhet fjalë për një proces tepër të rëndësishëm për vendin. Ne dimë se çfarë thotë Kushtetuta dhe me lejoni të jem i sinqertë dhe objektivi kryesor duhet të jetë që të ishte zgjedhja e presidenti që në votimin e parë. Ky duhet të jetë objektivi, nuk duhet të jetë objektivi në raundin e katër e të pestë, loja ka disa rregulla, por ky duhet të jetë objektivi, tha Arvizu.
Ambasadori deklaroi se është e rëndësishme që presidenti të përfaqësojë unitetin e popullit.
Nga perspektiva e SHBA, e rëndësishme është që nga pikëpamja e Kushtetutës, presidenti i ri të përfaqësojë unitetin e popullit, sepse ai është garantuesi i kushtetutës. I takon pikërisht atij të thotë fjalën e fundit kush do jetë kreu i prokurorisë. Ky është një proces shumë i rëndësishëm për SHBA dhe e rëndësishme, por e vështirë të gjejmë personin e duhur të plotësojë të gjitha kriteret, por është e rëndësishme si proces dhe e rëndësishme është të zhvillohet një dialog. Ne kemi raportuar disa takime dhe darka dhe do ketë më shumë të tilla për çështjen e zgjedhjes se presidenti, tha Arvizu.